Sanim në rrugën Shipkovicë ­-Brodec e cila u ngujua nga moti i ligë

Treqind metra nga rruga Shipkovicë ­-Brodec është ngujuar nga gurët, balta dhe uji pas rrëshqitjes së dheut e cila u shkaktua nga reshjet e mëdha të shiut të shoqëruara me vetëtima dhe erë të fuqishme që dje pasdite e përfshinë rajonin e Malit Sharr me rrethinë.

Moti i keq ka shkaktuar edhe një vrimë prej dhjetë metrave në rrugë. Për këtë janë shkëputur fshatrat Brodec, Veshala dhe Bozovc.

Në vendin e ngjarjes menjëherë pas informacioneve të marra për këtë gjendje me mekanizmin e nevojshëm kanë dalë ekipe të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, “Rrugët e Maqedonisë” si dhe vetëqeverisja lokale nga Tetova me brigadën territoriale të zjarrfikësve. Ivica Naumovski nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim deklaroi se janë duke e sanuar rrugën që të mundësohet lëvizja e njerëzve, pasi që një pjesë e madhe e mërgimtarëve që kanë ardhur t’i vizitojnë familjarët e tyre janë në fshatrat Bozovc, Veshala dhe Brodec.

Pritet sot rruga të jetë e kalueshme vetëm për kalimtarë, megjithatë do të varet nga moti pasi që priten reshje të reja. Sipas kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi moti i keq nuk është me intensitet sikurse vitin e kaluar.

“Ka vende të veçanta të cilat janë paraparë me projeksionin të cilin e kemi dhe studimin e UNDP­së ku me të vërtetë duhet të intervenohet në themel dhe një prej atyre vendeve është pikërisht rrëshqitja e tokës në rrugën Shipkovicë ­ Brodec”, tha dje Arifi.

“Duke e ditur nga viti i kaluar, tani jemi të gatshëm dhe nuk guxon të na befasojë asgjë. Ne jemi të mobilizuar me tërë potencialin të cilin e kemi edhe njerëzor, edhe material edhe me makinerinë me të cilën disponojmë”, deklaroi Drejtuesi i Brigadës territoriale të zjarrfikësve, Uka Aliti.

Sipas informacioneve të pres shërbimit në komunën e Tetovës, në fshatin Reçicë e Madhe reshjet e shiut e rritën nivelin e lumit por për momentin situata është nën kontroll dhe nuk ka përmbytje apo dëmtime të pronave të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button