Kaos e Elvana Gjata vijnë me ‘Disco Disco’

Puna e tyre e palodhshme dhe befasitë që ata vazhdimisht sjellin në treg kanë bërë që grupi ‘Kaos’ të jetë ndër më të pëlqyerit në rep skenën tonë.

E për të vazhduar me këtë ritëm krijimesh, Lumi B ka treguar për Tribuna se janë duke punuar fort.

Ata së shpejti do të vijnë me një këngë në bashkëpunim me Elvana Gjatën, ndërsa premtojnë edhe projekte tjera.

Ndonëse kanë pasur një vit të përmbushur me krijime të shumta artistike, djemtë e grupit të njohur ‘Kaos’ nuk e kanë ndërmend të pushojnë.

Ata me fillimvit i janë përveshur punës që të vijnë me risi për publikun tyre. Këtë e ka bërë të ditur Lum Berisha anëtar i grupit, ndërsa për Tribuna ka shpalosur se projekti i ri i tyre do të jetë në bashkëpunim me këngëtaren Elvana Gjata.

“Jemi në pritje të publikimit të këngës më të re e cila është në bashkëpunim me Elvana Gjatën. Kënga titullohet ‘Disco disco’, një këngë e bukur e cila shpresoj që do të mirëpritet edhe nga publiku”, ka thënë Lumi në fillim të bisedës.

Së shpejti edhe një ‘single’ tjetër

Ndërsa ka treguar pak detaje rreth këngës së re Lumi ka theksuar se lansimi i këtij projekti do të bëhet së shpejti.

“Puna jonë ka përfunduar ne kemi përfunduar me incizim e me xhirime. Tani vetëm pritet edhe puna teknike dhe të lansohet kënga.

Por nuk e di saktësisht kur do të jetë në duart e publikut, ndoshta brenda janarit apo në fillim të shkurtit”, ka treguar rep artisti më tej.

Por kjo nuk është risia e vetme që ‘Kaos’ po përgatit për publik.

Lumi ka thënë që pas këtij bashkëpunimi ai dhe partneri i tij në grup Vigani do të lansojnë edhe një këngë tjetër për të cilën janë në proces të punës.

“Shumë shpejt do të nisim punën edhe në një këngë tjetër të re e cila do të jetë vetëm nga Kaos, jo në bashkëpunim.

Jemi në procedurë të punës edhe për këtë këngë. E për të tjerat nuk po tregoj. Kryesore 2014-a do të jetë plot risi nga Kaos”.

Viti 2013 më i suksesshmi për ‘Kaos’

E meqenëse viti 2013 posa përfundoi, Lumi ka shpalosur se viti që lamë pas ka qenë ndër vitet më të suksesshme për grupin e tij.

Ndërsa nuk ka harruar të falënderojë publikun që kanë pëlqyer punën e tyre.

“Viti që lamë pas mund të them me shumë bindje që ka qenë ndër vitet më të suksesshme të karrierës sonë.

Ka qenë vit plot angazhime e projekte të mirëpritura. Si albumi po ashtu edhe singlat me videoklipe që i kemi lansuar kanë qenë vërtet të mirëpritura në publik.

Mbrëmje muzikore kemi pasur vazhdimisht dhe kjo e tregon suksesin e punës sonë.

Sukses ky për të cilin i falënderoj shumë publikun tonë i cili na ka përcjell e pëlqyer në çdo hap”, është shprehur ai, duke nënvizuar se edhe ky vit ka filluar për së mbari.

“Nga festat e fund vitit i kemi dhënë vetes dhjetë ditë pushim. Pas këtij pushimi menjëherë do të fillojmë me mbrëmje e koncerte të ndryshme.

Risi e shumëçka nga grupi Kaos. Nuk ka mu ndal”.

Lajme të ngjashme

Back to top button