Maqedonia i lejon Serbisë “të fut hundët” në dokumentet personale të banorëve të saj

Përveç paralajmërimeve për marrëveshje mes Maqedonisë dhe Serbisë lidhur me ambasadat, dyja vendet tashmë vite me radhë kanë thelluar këtë bashkëpunim edhe në sfera tjera të rëndësishme. Bashkëpunimi i Maqedonisë me Serbinë dallon shumë nga bashkëpunimi me vendet tjera fqinje. Një ndër marrëveshjet më kontestuese me Serbinë, është ajo e vitit 2012, që ka të bëjë me bashkëpunimin policor. Kjo marrëveshje garanton shkëmbimin e informatave personale të qytetarëve mes dy vendeve. Thënë troç, me këtë marrëveshje, policia serbe mund të kërkojë nga organet e brendshme të Maqedonisë informata për vendbanimin, pronësinë, numrat e telefonit, apo informata për mjetet e tjera të komuinikimit, mes të cilave edhe llogaritë e postës elektronike në posedim të shtetasve të Maqedonisë. Madje, neni 5 i kësaj marrëveshjeje parashikon që informatat e tilla të shkëmbehen edhe pa pasur nevojë për kërkesë apo dokument të ngjashëm me shkrim, shkruan Alasat-M.

“Organet kompetente, në pajtim me legjislativën kombëtare, në situata të veçanta gjithashtu shkëmbejnë informacione pa kërkesë paraprake, nëse në bazë të fakteve parashikojnë se këto informata janë të nevojshme për shmangien e rrezikut konkret ndaj sigurisë publike ose për zbardhjen e veprave penale”.

Dispozitat e tilla në marrëveshjen me Serbinë janë të veçanta, pasi me asnjë shtet tjetër Maqedonia nuk ka marrëveshje për shkëmbimin e informatave të tilla detale personale. Edhe procedura e marrjes së informatave pa kërkesë me shkrim është luks që i mundësohet vetëm Serbisë. Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim policor edhe me Kosovën, por dispozitat e asaj marrëveshje garantojnë vetëm bashkëpunim sipërfaqësor, kryesisht në shkëmbimin e përvojave dhe formimin e grupeve të përbashkëta të punës mes dy vendeve.

Gjithashtu është parashikuar procedurë e gjatë e cila duhet të plotësohet për të marrë ndonjë të dhënë personale. Marrëveshje për bashkëpunim policor Maqedonia ka ratifikuar edhe me Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Bullgarinë e Sllovakinë, por me asnjërën prej këtyre shteteve nuk parashikohet nivel aq i thellë bashkëpunimi siç është rasti me Serbinë. Elementi shtetformues i shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka qenë i mjaftueshëm që të thellojë bashkëpunimin policor me dy shtetet shqiptare në rajon.

Lajme të ngjashme

Back to top button