Prokuroria Speciale mund ta merr në duar rastin e Eshtrefit, i dënuar për vrasjen në Gjorçe të Shkupit

Familjarët dhe avokatët e të riut nga Gërçeci, Naser Eshtrefi i dënuar me 14 vite burg për vrasjen e maturantit Angjel Petkov në 2014-tën në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, ngjarje që bëri bujë në Maqedoni, presin përgjigje nga Gjykata Supreme e cila e ka për detyrë të shqyrtojë kërkesën e tyre për ri-gjykim. Njëkohësisht, rasti është denoncuar edhe në Prokurorinë Speciale Publike, është kërkuar ndihmë nga Ministria e Drejtësisë si dhe Avokati i Popullit. Megjithatë, përgjigjet e tyre nuk janë të favorshme për tu zbardhur rasti sa më shpejtë, shkruan Portalb.mk.

Lexo pjesën e parë: Dosje: Si u realizua gjykimi skandaloz për Naser Eshtrefin, vrasja në Gjorçe të Shkupit (VIDEO)

PSP: JEMI TË NJOHUR ME RASTIN E NASER ESHTREFIT

Prokuroria Speciale
Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë thotë për Portalb.mk se e ka pranuar denoncimin e familjarëve dhe avokatëve. Edhe pse nuk japin më shumë detaje në lidhje me shqyrtimin e së njejtit, nga ky institucion thonë që do ta lajmërojnë opinionin nëse do të ketë hulumtim për rastin. Dyshimet për involvimin e kryeparlamentarit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski në këtë rast lindin nga pasi që në njërën nga bisedat e përgjuara mes ish ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski përmendet ndodhia e lagjes.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ne ju informojmë se për këtë rast as nuk mund të konfirmojmë dhe as të mohojmë nëse do ta shqyrtojmë rastin” thonë shkurt nga PSP duke u thirrur në fshehtësinë e hetimeve që ata i bëjnë.

Avokatët thonë që është e mundshme të ketë edhe biseda të tjera telefonike në lidhje me ditën e kobshme kur ndodhi vrasja andaj ka bazë për tu ankuar në këtë institucion.

“Presim që në të ardhme të shpejtë, PSP ta merr në duar këtë rast. Ka gjasa që të ketë edhe biseda tjera, të themi mes ministres së brendshme Jankullovska me ndonjë inspektor të policisë, për thikën që nuk u gjend apo të ngjashme, megjithatë ky është një supozim që duhet vërtetuar” tha për Portalb.mk avokati Dimitrija Dimitrioviq.

ME 4 MUAJ VONESË GJYKATA THEMELORE PËRCJELL RASTIN NË SUPREMEN

Gjykata Supreme
Gjykata Supreme

Menjëherë pasi u shpall vendimi i Gjykatës së Apelacionit i cili e vërtetoi atë të Gjykatës Themelore për 14 vite burg për Naser Eshtrefin, në prill 2014 avokatët kanë dërguar ankesën në Gjykatën Supreme.

Pas katër muajve vonesë, ankesa e cila shkon përmes Gjykatës Themelore- Shkupi 1, ka arritur në Gjykatën Supreme. Gjegjësisht, si që konfirmoi zëdhënësi i Themelores, është dërguar më 1 gusht 2016.

Nga Supremja për Portalb.mk nuk deshën të komentojnë se kur do ta marrin në shqyrtim rastin.

“Gjykata e Apelacionit automatikisht e ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore, nuk ka hyrë më detajisht të hulumtojë rastin. Prandaj besojmë që Supremja duhet ta çojë rastin në rigjykim. Ajo e ka për detyrë ta vlerësojë sa zbatohet ligji adekuat dhe gjitha procedurat ligjore gjatë gjykimit si dhe në rastin e Naserit, a është marrë parasysh situata faktike” thotë avokati Dimitrija Dimitrioviq.

Avokati Angjel Gjeorgjiev thotë se Naseri dy vite, që nga arrestimi në maj të vitit 2014 është në burg, Gjykata Supreme nuk duhet ta zgjasë shqyrtimin.

“Edhe pse nuk ka afat të caktuar se kur duhet të shqyrtohet rasti, megjithatë ka afat të arsyeshëm i cili obligon gjykatësit të ndërmarrin vepra” tha Gjeorgjiev.

IXHET MEMETI: NUK MUND TA OBLIGOJ POR MUND TI JAP MENDIM SUPREMES

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti thotë që ai nuk ka kompetencë mbi punën e gjykatave përpos në një element dhe atë të mos zhagmitjes së procedurave të gjykimit, atëherë ai jep mendim.

“Afati i arsyeshëm nuk nënkupton që gjykatat i kanë ditët e caktuara të numëruara për të vendosur për një lëndë, por nënkupton që në periudhë prej gjashtë muajve përafërsisht, gjykatësit në mënyrë profesionale te merr veprime dhe te këtë përpjekje për përgatitjen e lëndës dhe vendimit rreth saj. Gjykata supreme në këtë rast duhet të vendos në afat të caktuar dhe nuk mund ta zhagmitë lëndën përgjithmonë. Unë mund të marr veprime kur Gjykata Supreme pa arsye zhagmit shqyrtimin e lëndës, dhe të kërkoj llogari prej pranimit të ankesës, të a.q masës së jashtëzakonshme për ri-shqyrtimin e situatës faktike në rastin e Naserit, a e kanë marrë dhe çfarë veprimesh kanë ndërmarrë. “ shprehet për Portalb.mk Memeti.

Ai tha se nëse deri më 6 muaj Gjykata nuk ka marrë veprim, ai do ti rekomandojë dhe do ti jep mendim asaj që mos ta shkel parimin për gjykimin në afat të arsyeshëm.

MINISTRI I DREJTËSISË XHAFERI: ATA QË JANË TË DËMTUAR TË ANKOHEN

Valdet Xhaferi
Valdet Xhaferi

Portalb.mk foli edhe me Ministrin e Drejtësisë, Valdet Xhaferi i cili tha se Këshilli Gjyqësor është vendi ku duhet ankohen familjarët e Naserit dhe jo vetëm ata, por të gjithë që ndjehen të dëmtuar nga proceset gjyqësore në Maqedoni.

“Të gjithë palët që mendojnë se u është shkelur e drejta gjatë proceseve të ndryshme gjyqësore, por edhe gjatë këtij procesi gjyqësor, i ftoj që të drejtohen me ankesë deri te institucioni kompetent për shqyrtimin e ankesave të tilla i cili është Këshilli Gjyqësor. Nëse pala mbrojtëse dhe familjarët mendojnë dhe dyshojnë se ka pasur shkelje të procedurave ti drejtohen Këshillit Gjyqësor. Ministri i Drejtësisë nuk ka kompetencë ligjore të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën, ministri është vetëm anëtar në Këshillin Gjyqësor. Si ministër e përkrah çdo qytetar të paraqet ankesa dhe rastet ku mendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre. “ tha Xhaferi.

 Vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilën e vandalizuan disa qindra banorë të së njëtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit Petrov. Të njejtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptar.  Dëmet nga vandalizmi dhe huliganizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.

VIDEO E SIGURUAR NGA KAMERAT E SIGURISË NË SPITALIN E SYVE
Nga vetura e kaltër dalin Angjeli dhe babai i tij. Naser Eshtrefi është i veshur me të bardhë dhe ec nga vetura.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button