Brukseli i bën thirrje Maqedonisë të rikthejë dialogun politik

Brukseli vazhdon t’i bëjë thirrje klasës politike në vend për rikthimin e dialogut politik. Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle i cili zhvilloi takimin e parë me kreun e opozitës maqedonase Zoran Zaev, kërkoi zbatimin e marrëveshjes politike të 1 marsit, si dhe angazhimin e të gjithë faktorëve politik për agjendën evropiane të vendit.

“Atëherë kur do të përmbushet Marrëveshja politike e 1 marsit, Komisioni do të jetë i gatshëm të mbështes procesin reformues në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë Aderues. Autoritet duhet të mbeten të përkushtuar në zbatimin e reformave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të mira me fqinjët”, ka porositur Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle.

Komisioneri Fyle gjithashtu ka ngritur çështjen e zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe reformave zgjedhore.

Ndërkaq kreu i LSDM-së Zoran Zaev ka theksuar se pret arritjen e marrëveshjes me pushtetin pikërisht për sa i përket ndarjes së partisë nga shteti, si pjesë e rekomandimeve të Komisionit Evropian në raportin e progresit. Madje sipas tij pikërisht ky rekomandim duhet të implementohet në takimin e nesërm të grupit të punës për legjislacionin zgjedhor, si një hap drejt shkrirjes së akujve mes pushtetit dhe opozitës. Zaev ka kërkuar nga Fyle edhe angazhimin më të madh të Komisionit Evropian në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Kërkuan nga Komisioni Evropian ta shfrytëzojë Presidencën greke me qëllim që të përfshihet në mënyrë më direkte në zgjidhjen e problemit shumëvjeçar. Theksuam disa ide si mund të ndodh kjo, që të arrijmë te qëllimi i fundit, të gjendet zgjidhja. Por, megjithatë presim që ajo që varet nga Maqedonia, para se gjithash nga ne si parti politike, gjithsesi edhe opozita, të zgjidhet dhe kapërcehet”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Vizita e kreut të opozitës maqedonase Zoran Zaev, vjen pak kohë pas vizitave të liderëve të partive në pushtet kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe kryeministrit Nikolla Gruevski

Lajme të ngjashme

Back to top button