Nis largimi i armeve kimike nga Siria

Një anije daneze me ngarkesën e parë me armët kimike të regjimit të Asad në bord, la portin e Latakias, në veri të Sirisë, këtë të martë.

Ngarkësa me lëndë të rrezikshme do të dërgohet fillimisht në jug të Italisë, nga ku do të vendoset në një luftanije amerikane, për t’u asgjësuar në ujërat ndërkombëtarë të detit Mesdhe, disa qindra kilometra larg gadishullit Apenin.

Anija me arsenalin kimik shoqërohet nga një luftanije ruse dhe kineze, në bazë të marrëveshjes së shtatorit, për çmontimin e armëve kimike të Sirisë. Zhvendosja e mbi një mijë ton armatimi kimik nga Siria, është hapi i parë i planit për shkatërrimin krejtësisht të tyre.

Procesi pritet të zgjasë disa ditë. Sipas marrëveshjes, armët duhen eliminuar deri në fund të qershorit të këtij viti. Autoritetet siriane dështuan ta largonin këtë arsenal deri më 31 dhjetor 2013, siç parashikohej në paktin ndërkombëtar. Ata fajësuan për këtë, motin e keq dhe luftimet në zonën e qytetit port, mes forcave qeveritare dhe atyre rebele.

Zbatimi i marrëveshjes ka hasur në shumë pengesa deri më tani. Gjetja e një vendi për shkatërrimin e armëve, ishte deri pak javë një sfidë më vete. Shumë shtete refuzuan të pranonin kryerjen e këtij procesi në territorin e tyre, mes tyre edhe Shqipëria.

Tashmë, asgjësimi i këtyre armëve kimike do të kryhet në një luftanije amerikane, me ndihmesën e teknikëve nga SHBA, Rusia, Kina dhe Finlanda. Norvegjia dhe Danimarka kanë ofruar disa anije për transportimin e këtyre armëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button