Dyshohet se ish-forcat e RENEA-s grabitën 3 kambistët (FOTO)

Tre kambistë janë plagosur dhe më pas janë grabitur në qendër të qytetit të Durrësit rreth orës 08:15.

Ngjarja ka ndodhur te tregu i valutës, te sheshi “Pranvera” në Durrës, ku tre persona të armatosur që udhëtonin me një makinë me shenja policie kanë grabitur kampistët, Edmond Sallaku, Arben Çuni dhe Hajdar Lala.

Sipas informacioneve të para, grabitësit kanë zbritur nga një makinë tip “Land Rover” me targa angleze, të veshur ushtarak dhe janë afruar kampistëve.

Policia ka bërë të ditur se autorët e grabitjes janë një grup kriminal i organizuar, të cilët ishin të veshur me rroba të forcave komando të ushtrisë, me veshje antiplumb dhe me armë automatike e shkopinj beizbolli. Dyshohet se grabitësit mund të kenë qenë ish-forca të RENEA-s, pasi kanë kryer edhe grabitje të tjera në të njëjtën mënyrë.  

Nga rindërtimi i ngjarjes, policia ka mësuar se, Edmond Sallaku, i cili është edhe kambisti që ka mbetur i plagosur ka pasur edhe çantën me para. Në kohën kur janë sulmuar, dy kambistët e tjerë, Çuni dhe Lala, kanë bërë rezistencë, ndërsa Sallaku mësohet se është larguar me vrap.

Grabitësit duke parë largimin e tij, me një çantë në dorë, e kanë ndjekur atë dhe në momentin që e kanë arritur e kanë goditur me qytën e një arme të llojit kallashnikov dhe i kanë marrë shumën e parave, që ende nuk është mësuar se sa është.

Menjëherë sapo kanë marrë informacionin, forca të shumta policie janë vënë në kërkim të autorëve të cilët ende nuk janë identifikuar.  Gjatë ndjekjes, autorët e grabitjes kanë përplasur edhe makinën e policisë në Sukth, në kohën kur uniformat blu ishin duke i ndjekur nga pas.

 Kambisti i plagosur është dërguar në spitalin e Durrësit, ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore. Policia po vazhdon hetimet. / Shekulli

https://i2.wp.com/www.shekulli.com.al/website/images/images17/WP_000397.jpg?resize=570%2C427

https://i2.wp.com/www.shekulli.com.al/website/images/images17/WP_000398.jpg?resize=594%2C793

Lajme të ngjashme

Back to top button