S’dorëzohet Vëllazëria Myslimane

Rezistenca e lëvizjes deri më tani thuajse siguron që Egjipti do të vazhdojë të trazohet nga konfliktet civile, dhe ajo nxit dyshime të mëtejme për përpjekjet e qeverisë për ta shuar atë.

Ata fshihen në shtëpi të sigurta në periferi të këtij qyteti egjiptian, flasin vetëm shkurt në telefona mobilë dhe nuk frekuentojnë më kafenetë ku ata takoheshin dikur. Shamitë e mëdha ua fshehin identitetet kur ata dalin jashtë për t’iu bashkuar protestave kundër udhëheqjes aktuale.

Udhëheqësit e Vëllazërisë Myslimane, tani e ndaluar, i janë kthyer stilit të të jetuarit në fshehtësi, ndonëse qindra bashkanëtarë të tyre janë arrestuar në Fajum që kur ushtria ka rrëzuar presidentin Mohamed Morsi, prijës i Vëllazërisë, ndërsa qeveria e ka cilësuar grupin si organizatë terroriste.

Megjithatë, në vend se të përçahen në mes të trysnisë, thonë anëtarët, grupi i është kthyer prapë strukturës organizative që e ka pasur për dekada si një lëvizje e ndaluar dhe fshehtë. Ajo po bëhet më e decentralizuar, por gjithashtu edhe më e lidhur dhe më e ngurtë, përderisa anëtarët e saj po i braktisin aktivitet si predikimet, dhe po e kthejnë vëmendjen e tyre mbi një objektiv pothuajse të vetëm: rezistencën kundër qeverisë së mbështetur nga ushtria, ka shkruar The New York Times.

Përqendrimi i tyre, thonë shumë anëtarë të Vëllazërisë, është një sfidë e gjatë dhe e rëndë. “Është një vizion i konfrontimit politik që mund të vazhdojë për shumë vite”, ka thënë një udhëheqës, një arkitekt 33-vjeçar në Fajum, që njihet si bastion i islamikëve. Ai, bashkë me anëtarët e tjerë, ka folur në një kafe për një kohë, por e ka ndërruar vendndodhjen pas dyshimeve për përgjime. “Kjo është faza jonë e rezistencës”, ka thënë ai. “Ne po përpiqemi të mbijetojmë sa të mundemi”.

Rezistenca e Vëllazërisë deri më tani thuajse siguron që Egjipti do të vazhdojë të trazohet nga konfliktet civile. Dhe, ajo e nxit dyshime të mëtejme për përpjekjet e qeverisë për të shuar një lëvizje që i ka rezistuar përpjekjeve të tilla që nga themelimi i saj më shumë se 80 vjet më parë, dhe që gëzon mbështetje nga qindra mijëra anëtarë dhe nga miliona simpatizantë në tërë vendin.
Ndonëse krerët e grupit thonë se mbeten të vendosur për të protestuar për pakënaqësitë e tyre, disa anëtarë kanë thënë se shumë përkrahës kanë nisur të flasin gjithnjë e më shumë për dhunë.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button