Vulini s’do të hynte në Gjakovë

Kryetarja e re e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka qenë e vendosur që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, duke dalë në protestë, ta ndalojë futjen e ministrit serb Aleksandër Vulin në Gjakovë.

Në intervistë për Tribunën, ajo ka shpjeguar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me shoqatën “Thirrjet e nënave” dhe me protestuesit e tjerë, ashtu siç ka qenë në kontakt edhe me autoritetet qeveritare. Ka thënë se ka kontaktuar me zv/kryeministrin Hajredin Kuçi, me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe gjithashtu edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Rrjedhimisht, është tërhequr leja për hyrjen e Vulinit në Kosovë. Kjo gjë, sipas saj, është e mirë, sepse, në të kundërtën, futja e këtij zyrtari serb në Gjakovë do të përbënte një provokim të rëndë për qytetarët e komunës që tash e drejton. Ajo ka përkujtuar se një numër i konsiderueshëm i personave të pagjetur e të paidentifikuar janë pikërisht nga komuna e Gjakovës.

Ish-zëvendëskryeministrja Kusari-Lila ka vlerësuar se insistimi i Vulinit për të ardhur në Gjakovë do të mund të kishte efekte negative edhe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që vazhdon të zhvillohet në Bruksel. Kjo për faktin, se palët do të kalonin në qëndrime të skajshme të cilat nuk do të ishin të nevojshme në këtë moment. Ajo nuk ka denjuar të merret me deklaratat e pararendësit të saj në komunë, Pal Lekaj, duke thënë se nuk ia vlen të komentohen “deklaratat primitive”.

Lajme të ngjashme

Back to top button