fbpx

Për Kosovën punë e kryer, Serbia e bindur s’ka leje

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk po merret aspak me Federatën e Futbollit të Serbisë (FSS), por gjithë vëmendjen e ka te FIFA, prej së cilës po e pret përfundimisht lejen për të organizuar ndeshje miqësore ndërkombëtare për të gjitha përfaqësueset, klubet e grup-moshat. Derisa pala serbe me bindje thotë se FIFA nuk do t’i jep këso leje Kosovës, për palën kosovare kjo punë është e kryer.

“Ne jemi të bindur dhe besojmë fuqishëm se FIFA përfundimisht do të na jep lejen për të luajtur, sipas fjalëve që na ka dhënë kreu i saj, Sepp Blatter”, ka deklaruar për Arenën sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, duke iu kundërpërgjigj kështu sekretarit të FSS-së, Zoran Lakoviq, i cili të dielën deklaroi se FIFA do t’i thotë ‘Jo’ Kosovës.

Krerët e FFK-së më 10 janar do të ulen edhe njëherë në një tavolinë me udhëheqësit e FSS-së, të cilin takim do ta ndërmjetësojë presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. Ky do të jetë takimi i fundit mes palëve, para se FIFA të vendosë rreth kërkesës së Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare. Vendimin final rreth kësaj kërkese të palës kosovare do ta merr më 13 janar Komisioni për Çështje Urgjente i FIFA-s.

Lajme të ngjashme

Back to top button