LR – PDSH: Banorët e Haraçinës meritojnë të kenë ujë të pijshëm dhe kushte më të mira jetese!

“Administrata komunale e Haraçinës që udhëhiqet nga kuadër i BDI-së, gjithnjë e më tepër po i relativizojnë problemet thelbësore të shqiptarëve”, reagojnë nga Lëvizja për Reforma në PDSH në lidhje me mungesën e ujit në Haraçinë dhe heshtjen e institucioneve, njofton Portalb.

“Në komunën e Haraçinës paraqitet situatë mjaft e rënduar me mungesë të ujit të pijshëm, infrastrukturës rrugore, deponisë së mbeturinave dhe kanalizimit të ujërave të zeza! Në këtë kohë, kur jeta në Haraçinë është krejt e pamundur të zhvillohet normalisht, kryetari i saj Brahim Ajvazi ende nuk e sheh të arsyeshme zgjidhjen e këtyre problemeve kaq thelbësore për banorët e vendit”, thonë nga LR – PDSH.

Lëvizja për Reforma – PDSH u bën thirrje institucioneve komunale kompetente dhe njëkohësisht kryetarit të komunës së Haraçinës që të angazhohet drejtpërdrejt në zgjidhjen e këtij problemi jetik për banorët dhe ta rregullojë ujin e pijshëm, dhe njëkohësisht të angazhohet për ta përmirësuar standardin e jetesës së banorëve, pasi që, siç thuhet në thirrjen e tyre, e ka detyrim ndaj banorëve t’u dalë në krahë për zgjidhjen e problemeve që mbartin kohëve të fundit.

“Kjo papërgjegjësi morale dhe profesionale e komunës së Haraçinës është një akt i ulët dhe ndërkohë banorëve të vendit u bëhet padrejtësi që në këtë kohë të mos kenë ujë të pijshëm, për të cilën uji është e drejtë natyrore e gjithkujt. Kryetari Brahim Ajvazi nuk mund t’i ikë përgjithnjë ujit të pijshëm në Haraçinë, pasi vjen koha kur populli do ta kërkojë të drejtën e vete përmes mekanizmave të ndryshme”, thuhet në reagimin e LR-PDSH-së.

Përndryshe, banorët kanë vërtetuar problemin me ujin për Portalb. Veç asaj, nga biseda me to, Portalb, kupton se ky problem daton më shumë se 20 vjet dhe secila garniturë politike po dështon për ta ngritur standardin e jetesës në Haraçinë.

I thirrur nga redaksia jonë për prononcim, kryetari i Komunës, Brahim Ajvazi pasi kuptoi pyetjen tonë, në lidhje me problemin me ujin, na tha se është në takim dhe nuk ka mundësi të përgjigjet./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button