Testimet eksterne: Profesorët nuk e kanë idenë ku të ankohen!

Deri më tani profesorët shqiptarë nuk janë ankuar për gabime në pyetjet e mundshme të testimit ekstern të cilit do t’i nënshtrohen nxënësit e viteve të katërta të shkollave të mesme, në fund të këtij muaji.

Edhe pse shumica e profesorëve ankohen se në tekstet shkollore ka gabime të shumta dhe pyetjet nuk përputhen me plan programin e tyre, deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka parashtruar ankesë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ku afati i parregullsive apo detektimit të gabimeve skadon me 10 janar.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta, bën të ditur se gjatë vitit të kaluar është bërë kërkesë që pyetjet të publikohen para se të testohen nxënësit me qëllim që të dinë se çfarë i pret.

“Ne vitin e kaluar bëmë kërkesë që pyetjet të publikohen dhe këtë vit kjo u realizua. Tani nxënësit do të kenë mundësinë që të ushtrojnë dhe të dinë se përafërsisht çka do të kenë në testim”, tha Dardhishta.

Sa i përket gabimeve në pyetjet e mundshme, ai shtoi se fatkeqësisht nuk i ka lexuar ato, por që deri më tani nuk është ankuar asnjë profesor.

“Nuk kam pas rastin që t’i lexoj, por meqenëse profesorët nuk janë ankuar, do të thotë se janë në rregull dhe pa gabime”, tha për Portalb, Dardhishta.

Po ashtu edhe Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Etem Xheladini, tha se nuk ka marrë ndonjë ankesë për gabime në këto pyetje të publikuara nga MASH, por megjithatë ai nuk e vlerëson si të duhur metodën e verifikimit të punës së profesorëve nëpërmjet një testimi.

“Ankesa nuk kemi pas, për gabime në pyetje, mirëpo kjo metodë e vlerësimit të punës së profesorëve nuk është e drejtë. Nuk mund të vlerësohet e gjithë puna e një profesori vetëm me një testim ekstern”, tha Xheladini.

Ai shtoi se shumica e profesorëve ndëshkohen dhe shumë pak prej tyre shpërblehen.
“Tani është kohë e zgjedhjeve dhe e dimë se ndëshkimi është më se i përshtatshëm për mbushjen e arkës. E dimë që shumica nuk do të shpërblehen por do të dënohen, kështu shkojnë këto punë tek ne”, tha për Portalb, Xheladini.

Ndërkaq nga MASH bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë ankesë për ndonjë gabim apo lëshim në pyetjet që janë publikuar në ueb faqen e këtij institucioni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button