Çartet Vulin: Kosova, aparteidi i fundit në Evropë

Ministri serb, Aleksander Vulin, të cilit sot iu bllokua hyrja për në Gjakovë, së bashku me pelegrinët serbë që kishin ardhur për ta vizituat kishën në Gjakovë, ka thënë se kjo tregon që Kosovën e qeverisë “aparteidi i fundit në Evropë”.

Vulin ju ka treguar gazetarëve në Graçanicë se edhe atij, sikurse edhe serbëve tjerë të zhvendosur nga Gjakova, i është ndaluar hyrja dhe iu është pamundësuar vizita në kishën në Gjakovë.

“Në ditën e sotme është dëshmuar se aparteidi ende qeverisë në këto hapësira për serbët. Serbët janë populli i fundit në Evropë të cilët në Ditën para Krishtlindjeve nuk mund të shkojnë në kishat e tyre”, ka thënë Vulin për mediat serbe, duke shtuar se ky është aparteidi i fundit në Evropë, transmeton koha.

Vulin, për ngjarjet e sotme, ka akuzuar përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. Ai ka pyetur se kujt i ka penguar pjesëmarrja e më pak se 100 serbëve të zhvendosur të Gjakovës, të cilët kanë ardhur vetëm ta vizitojnë kishën.

Ai ka bërë me dije se njëherë i është lejuar vizita së bashku me serbët e zhvendosur, mirëpo ky vendim është tërhequr mbrëmë. Ai ka thënë se kjo nuk çon në normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë.

“Serbët sot janë gjuajtur me gurë në Gjakovë, mua më është ndaluar madje të jem edhe me ta”, ka thënë Vulin, i cili ka shtuar se dëshiron të shkojë në Deçan e të bisedojë me gjakovarët.

Vulin i ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos i ndajnë viktimat në të tyre dhe tanë dhe të lejojnë kthimin e të zhvendosurve.

E Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila mbrëmë, përmes një reagimi në Facebook, i bëri thirrje atij që të mos e vizitojë Gjakovën, ka reaguar sërish, duke thënë se me kërcënime nuk arrihet asgjë.

“Çfarë u paralajmërua mbrëmë, nuk ndodhi. Ministri i Serbisë nuk e vizitoi Gjakovën. Përkundrejt deklarimit të tij për të bërë një gjë të tillë, ai nuk kishte leje të vizitojë komunën tonë. MPB e Kosovës nuk e kishte lejuar të vinte në Gjakovë që nga tre janari.

Megjithatë, insistimi i tij për të ardhur bëri që qytetarët e revoltuar të ndalojnë edhe autobusët me pelegrin dhe të mos i lejojnë as ata të hyjnë në kishë. Ishte hera e parë që pelegrinët u ndaluan. Nuk ishte situatë e lehtë, por u evitua më e keqja.

Shpreh falënderimin tim të veçantë për forcat e rendit dhe menaxhimin profesional të situatës nga ana e tyre”, ka shkruar Kusari –Lila në Facebook.

Lajme të ngjashme

Back to top button