ALBUMI

Fotografitë! I kam dashur fotografitë.

Moti ka qenë kjo punë, kur isha fëmijë. Mblidhja fotografi nga gazetat e vketra, me kujdes i pritja me gërshërë dhe i ruaja. Kur u mblodhën mjaft e mora një fletore, e i ngjita. Dhe, ja albumi im me fotografitë e aktorëve të famshëm të Holivudit: Gari Kuper, Ava Gardner, Xhon Vejn, Xhems Stjuart, Odri Hepbern, Vivijen Li, Fred Aster, Hemfri Bogart, Keri Grant, Piter O’Tul, Kirk Dagllas, Gregori Pek, Natali Vud…

Çdo ditë ngjitja nga një fotografi të prerë me kujdes dhe përpiqesha t’i rendis në një vijë, të duken bukur. E kisha pasion këtë punë.

Me kohë, kur fletorja ime gati se u mbush, unë e vendosa në një kënd të sigurt, prapa arkës në dhomën ku flija me kushërirën time lëneshë. Të gjithë e dinin për albumin tim. Askush nuk tha se nuk i pëlqente. Shumica më ndiqte me dashamirësi në kërkimet e mia për fotografi të re dhe askush nuk e ka prekur albumin pa praninë time. Kështu së paku më thoshte kushërira ime. Albumin nuk e preki, madje edhe njerka ime e cila shpesh e ndizte zjarrin në mëngjes me detyrat e mia të shtëpisë, sepse mendonte se çdo fletë e shkruar në fletore ka mbaruar, është shpenzuar, kjo nuk duhet më… Ditë për dite albumi e zgjonte edhe kërshërinë e njerëzve nga fqinjët, veçanërisht të vajzave të rritura cilat kur e shfletonin dhe duke i shikuar aktorët  gjithnjë thoshin me ngashërim: “O zot sa të bukur janë”! Vetëm gjyshi kurrë nuk e kërkoi ta shohë. Njëherë kur deshi kushërira t’ia tregojë, ai tha: “Nuk i dua fotografitë”! duke i shqiptuar fjalët qetë, por me vendosmëri. Dhe aq.

Ai i shikonte punët e veta, kurse unë vazhdova ta pasuroj albumin me fotografi të reja.

Një ditë, ndërkaq… ashtu përnjëherë… kërciti diçka në këtë ëndërr të quajtur album. Shkoj unë te këndi im ta shtoj një fotografi të Xhina Lolobrixhidës. E zgjas dorën ta marr albumin… Albumi nuk është. Dora më mbet pezull në zbrazëti. Vendi im “i sigurt” u shndërrua në një xingonëtë frikshme, plot pasiguri. Pastaj, çfarë mund të bëjë fëmija kur dëshiron të mbrohet? Ia krisa vajit.

Albumi im! Albumi im!

U mblodhën i madh e i vogël rreth meje të më qetësojnë:
Do ta bësh një tjetër, edhe më të mirë, më ngushëllonin, kurse unë s’e ndalja dot vajin. Qaja dhe përsërisja:

Albumi bre! Albumi!

Atëherë u afrua gjyshi, të gjithë ia lëshuan rrugën, kurse ai hijerëndë më tha:

Hesht, mos bërtit si gomar!

Njerëzve u vinte keq që u pikëllova kaq shumë dhe më thoshin me të mirë se s’është gjë, se përsëri do ta bëj albumin tim, madje edhe më të mirë.

Si kalonin vitet, albumin s’e përmendi kush.

Pas nëntë vjetësh, ditën kur e dhashë provimin e maturës, e mora vesh kush ma kishte marrë albumin.

Gjyshi.

Nuk e kuptoja. Çfarë i  është dashur kjo. Kjo është një nga ato gjera për të cilat më mirë është mos të mendosh fare, nëse nuk do që të çmendesh.

Pse? Pyeta. Pse e paska marrë?

Ishte ramazan, më thanë. Haram është të mbahen fotografitë në shtëpi gjatë ramazanit.

I kishte vendosur pas tualetit.

Sa gjynah! thashë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button