fbpx

Elhaida Dani: “Pse e refuzova këtë vit Sanremon”

Çfarë ka ndodhur në jetën e “re” të këngëtares shqiptare, fituese e “Voice of Italy 2013?. Fundviti i ngjeshur me aktivitete dhe ftesat e panumërta nga televizionet shqiptare.

Festimet ndryshe nga herët e tjera… Përshtatja në Itali, projektet dhe arsyeja pse nuk do të marrë pjesë këtë vit në festivalin e Sanremos

Emri i 20-vjeçares shkodrane po bëhej gjithnjë e më i dashur pas çdo nate të “The Voice of Italy”.

Kulmin natyrisht e arriti gjatë asaj mbrëmjeje që të gjithë mbajmë mend, finales.

Zëri i shkëlqyer i garueses nga Shqipëria i bëri të gjithë (ata që i kanë) të harrojnë diferencimet raciale, vendin prej nga vinte, e të mbështesnin pa fjalë fituesen, Elhaida Danin.

Asnjë ndeshje e rëndësishme futbolli, asnjë palë zgjedhje elektorale e as ndonjë ngjarje tjetër e bujshme kombëtare nuk i kishte mbërthyer shqiptarët përpara ekranit si gjatë finales kur prisnin të brohoritej emri i Elhaidës.

Disa e shprehnin, të tjerë jo, frikën se, me gjithë meritën e padiskutuar, Elhaida do të renditej e dyta. Por kjo nuk ndodhi.

Fituesja e “Zërit” italian, u bë menjëherë aq mediatike, sa nuk kishte qenë më parë as në vendin e saj, sado që zëri kishte qenë po ai.

Pas këtij shpërthimi të bujshëm, emri i këngëtares që i bëri krenarë të gjithë, nuk po lakohej më njësoj deri pak ditë më parë.

Refuzimi prej saj i festivalit më të madh në Itali, Sanremos, e riktheu edhe një herë Danin në vëmendjen e medias së vendit ku tashmë jeton.

Por pse e mori këtë vendim? A është më Riccardo Cocciante, trajneri i saj që e ndoqi deri në fund, edhe sot, po aq i rëndësishëm në vendimet që ajo merr? Në vizitën disaditore që bëri në Tiranë, ashtu e zënë siç ishte, mes një aktiviteti e një tjetri, gjeti kohën të na i tregojë vetë.

Bashkë me Sanremon që mund të presë, folëm për jetën e saj të re, përshtatjen, koncertet dhe atë vajzën e thjeshtë, gjithnjë të qeshur e të dashur me të gjithë, që ka mbetur krejt njësoj.

Elhaida, ishin ftesat nga aktivitetet që të sollën gjatë festave në Shqipëri apo familja?

Ishte së pari familja, dëshira për të qëndruar me ta.

Vitin që shkoi, pikërisht në këtë periudhë, mua më duhej të isha në Itali për shkak të audicioneve të “The Voice”, kështu që nuk munda të qëndroj me ta.

Por edhe këtë herë, pavarësisht qëllimit fillestar, ftesat për të qenë pjesëmarrëse në aktivitetet që televizionet organizojnë për Vitin e Ri, nuk po më lënë shumë kohë të lirë, të paktën nuk është më rutina e dikurshme, siç ishim mësuar të qëndronim e festonim me njëri-tjetrin.

Si ishte rutina e dikurshme?

Ajo e zakonshmja, e shumicës prej nesh. Mblidheshim me familjen në Shkodër, e pas mesnatës dilnim.

I kam shijuar gjithnjë këto ditë edhe për rehatinë e pushimit që nuk është më, edhe për atmosferën.

Këtë vit, për shkak se jam e ftuar gjatë ndërrimit të viteve në një televizion, nuk mund të jem në Shkodër, por është familja ime këtu.

Me të ardhur, ke qenë e ftuar gjithandej…

Po, janë vetëm pak ditë e në secilën prej tyre duhet të jem diku për të kënduar. Nisi me festivalin e fundvitit në RTSH e do të përfundojë kur të largohem.

Edhe në Itali kanë qenë disa aktivitete që të kanë ftuar. Koncerti tradicional i Krishtlindjeve nuk është pak…

Po, ishte përvojë shumë e bukur, përveç kënaqësisë së madhe që mora duke kënduar në një skenë me emra të mëdhenj të muzikës internacionale.

Të këndosh me Patti Smith ishte një gjë shumë e bukur për mua, pa lënë mënjanë edhe rëndësinë e të tjerëve si Elisa apo Allevi.

Koncerti i përvitshëm u transmetua në prag Krishtlindjeve, në datën 24 dhjetor në Rai.

Ndërsa pak më parë refuzuat një festival edhe më të rëndësishëm. Sanremon…

Kështu rrodhën gjërat, nuk është se unë refuzova të merrja pjesë.

Në fakt, po shihja materialet që më ofroheshin me idenë për të qenë pjesëmarrëse, por nuk e gjeta veten në asnjë nga ato çfarë më erdhën në dorë.

Të marrësh për herë të parë pjesë në Sanremo, o duhet ta bësh denjësisht, ose të heqësh dorë.

Ti mund edhe të paraqitesh në vitet e ardhshme pas një përvoje jo fort të suksesshme, por shija e herës së parë do të ngelet gjithnjë dhe mundësia për të arritur aty ku do, është më e pakët.

Pra, nisur nga këngët që mund të këndoja dhe nga sugjerimet e njerëzve të muzikës që kam më pranë, mendova ta shtyja për më vonë.

Me miqtë e muzikës nënkuptoni Coccianten? A ishte edhe ai pjesë e këtij vendimi?

Patjetër edhe ai, referuar materialeve që kisha, më sugjeroi të mos këndoja këtë vit.

Ne të gjithë e pamë dashamirësinë e vazhdueshme që ai kishte për ty dhe raportin e ngushtë që krijuat deri në fund të spektaklit, përfshi edhe vizitën që bëtë bashkë në Shqipëri. Si nisën e si janë sot marrëdhëniet mes jush?

Po aq të mira sa më parë.

Unë e kam thënë që në fillim, që mes nesh pati kimi dhe e kam ndier vazhdimisht mbështetjen e tij. Përveç faktit që qysh në fillim unë dhe të gjithë ne e dinim se çfarë artisti është, ana e tij njerëzore, ndjeshmëria e tij ishin pikat tona tonë të përbashkëta.

Mbase edhe kjo e bëri punën të funksiononte aq mirë. Më thoshte gjithnjë pas njohjes së parë: “Elhaida, mos e mbaj ndjeshmërinë për vete, duhet t’ia japësh publikut”.

Mendoj që kjo ka qenë gjëja më me rëndësi që më mësoi që në fillim, që kënga është emocion dhe që të pëlqehesh, atë që ke brenda duhet ta përcjellësh.

Ai është i pranishëm gjithnjë në vendimet e mia profesionale dhe pa dyshim që është edhe pesha më e rëndësishme.

Besoj do të ishte për këdo, sepse nuk të qëllon përherë të kesh fatin të punosh me të. Sapo u dëgjuam në telefon, ku shkëmbyem urimet e festave.

A do të keni bashkëpunime të tjera për këtë vit që sapo erdhi?

Patjetër, janë projekte të planifikuara, por nuk mund të bëj asgjë publike.

Kam lexuar që këtë vit Cocciante nuk do të jetë më trajner në “The Voice”… kjo duhet të të bëjë të ndihesh me fat…

Po, e di dhe jam shumë krenare që pata mundësinë të punoj me të.

Ai ka thënë që nuk do të marrë më pjesë, sepse ishte i kënaqur me këtë që kishte arritur. Ta bëja të ndihej kaq mirë me punën e tij, është “uau”, shumë bukur.

Si u pritën punët e tua në Itali? Këngët e reja, albumi?

Nuk ishte një album i mirëfilltë, mund ta quaj një minialbum me vetëm 7 këngë që u prit mirë, po të mendosh që emri im atje është i ri.

Pata koncerte në shumë vende të Italisë, ku ata që e pëlqyen që në fillim zërin tim, vazhduan të më ndjekin gjithandej, të më takojnë në prapaskenë, të bëjmë fotografi.

Kënga “Baciami e basta” ka qenë një nga më të shkarkuarat në Itune dhe kjo është gjë shumë e mirë, kur mendon që jam në vend të huaj.

Si je përshtatur me vendin e huaj? Si është sot jeta jote në Itali?

Në fillim ishte gjithçka e rrëmujshme, gati nuk po e kuptoja se çfarë po më ndodhte, derisa pastaj të gjitha bëhen pjesë e rutinës së përditshme.

Unë vazhdoj të jetoj në Latina, atje ku qëndrova që në fillim, te njerëzit e mi të afërm. Por mund të them që, pavarësisht mikpritjes e marrëdhënieve të mira që kam krijuar këtu, ngelen raporte brenda kuadrit profesional.

Nuk mund të krijosh miqësi si ato që kam pasur e vazhdoj të kem në Shqipëri. Me njerëzit këtu të lidh puna, bashkëpunimet, nuk mund të ketë miqësi shumë të ngushta.

Për më tepër që unë vazhdoj ta kem, e kështu ka për të qenë edhe në vazhdim, jetë në lëvizje. Jam vazhdimisht në udhëtime për shkak të koncerteve.

Kjo jetesë në një farë mënyrë më frymëzon, monotonia, të bërit përherë të njëjtat gjëra, do të më vriste.

Që do të thotë, nga jeta private…

Dua të ngelet kështu, private. Të jetë vetëm imja. Nuk më pëlqen zhurma që krijojnë artistët duke ekspozuar gjithçka të tyren, edhe gjërat intime.

Kështu njerëzit largohen nga muzika, nga ajo çka ne jemi dhe afeksionohen pas çiftit ose pas gjërave që ata bëjnë.

Humbet fokusi e nisin ndjekin vetëm ç’bënë ata sot, ku shkuan apo të tjera. Unë nuk e dua këtë, prandaj do përpiqem ta mbaj jetën private ashtu siç duhet të jetë, vetëm për vete.

Lajme të ngjashme

Back to top button