fbpx

Car Dushani ende mbrohet nga policia

Tashmë prej 1 muaji, 24 orë në ditë, policia vazhdon të ruajë përmendoren e Car Dushanit të vendosur në Urën ‘Syri’ në afërsi të Sheshit të Shkupit. Qytetarët vendas por edhe turistët që dëshirojnë ta shohin nga afër këtë përmendore, duhet të kalojnë përmes policisë, përkatësisht pjesëtarëve të njësitit elitar policor ‘EBR’.

Ndërkohë, nga MPB-ja thonë policia nuk ruan përmendoren e Car Dushanit dhe as përmendoret e tjera, por policia gjendet në shërbim, në përputhje me ligjin për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

“Policia, në përputhje me ligjin dhe sipas Kushtetutës ka për detyrë që të mbrojë qetësinë dhe rendin publik, dhe me këtë të mbrojë edhe sigurinë e qytetarëve. Ne jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë kështu, gjithnjë në pajtim me kompetencat tona të jemi maksimalisht të pranishëm në terren, pasi për këtë po bëhen edhe të gjitha reformat në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, që policia të jetë sa më shumë e gjindshme në terren dhe mes qytetarëve, me qëllim që të parandalohen çfarëdolloj incidentesh”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së. 

Ndryshe, institucionet e vendit vazhdojnë të distancohen nga vendosja e përmendores kundërthënëse të Car Dushanit, duke ia hedhur topin njëra-tjetrës.

Lajme të ngjashme

Back to top button