Lindni sa më shumë fëmijë, Qeveria i paguan harxhimet

Nga janari është në fuqi projekti qeveritar për in-vitro falas për fëmijën e dytë, të cilën financiarisht e mbulon shteti i Maqedonisë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Nikolla Gruevski pas promovimit të librave të rinj nga edicioni ”Yjet e letërsisë botërore”.

Me këtë projekt vazhdon tendenca e Qeverisë Gruevski për shtimin e natalitetit në vend, ndërsa për të duke folur në një intervistë për MTV-në ai ka shprehur hapur brengën e tij për natalitetin e maqedonasve duke shtuar se Qeveria tashmë ka ndërmarrë një sërë masash për rritjen e natalitetit.

Për profesoreshën universitare Aurora Karameti, edhe pse një masë e tillë ka karakter human, në kontekstin ku gjendet Maqedonia kjo paraqet një lëvizje populiste si gjithë lëvizjet e tjera të qeverisë aktuale.

“Masa e tillë është e natyrshme dhe ka dimension njerëzor mbi të gjitha. Por, nga ana tjetër duke pasur parasysh kontekstin është më tepër një lëvizje populiste si gjithë lëvizjet e tjera dhe nuk ka aspak të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve por ka synime të tjera populiste dhe nacionaliste. Në fakt peshorja më tepër anon nga populizmi se sa nga humanizmi duke pasur parasysh të gjitha politikat anti-humane që aplikohen nga kjo qeveri në këtë vend nuk mendoj se eshë kjo masë ka qëllime të mira” thotë për Portalb, Karameti.

Sipas saj,  kjo masë shkon në linjën e fushatës parazgjedhore duke u bazuar në zërat që do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë.

“Mendoj se duhet të punohet për tu eliminuar varfëria në vend e cila është kulminante, duhet siguruar kushte për rritjen e fëmijëve,  e jo të stimulohet lindja kur në vend gjysma e popullsisë nuk ka kushte elementare për jetesë” thotë për Portalb, Karameti.

Analiza më e re e Portalb, mes tjerash tregon se varfëria në Maqedoni është betonuar ndërsa për 57% të popullatës në Maqedoni – mishi është luks!

Ermira Mehmeti : Nga kjo masë përfitojnë dhe shqiptarët
“Nuk dua ta interpretoj këtë masë si ndonjë masë populiste për qëllim të grumbullimit të votave. Për mua si një nënë e re që jeton në kohëra moderne është shumë me rëndësi që shteti dhe institucionet të krijojnë kushte dhe të mbështetin çiftet që duan të kenë fëmijë. I mbështes të gjitha masat e Qeverisë që kanë për qëllim të ndihmojnë familjet. Nuk mendoj se mund ta shohim këtë masë në bazë të parimeve etnike. Të gjithë do të përfitojnë, ashtu si që përfitojnë shqiptarët nga ndihmesa për fëmijën e tretë ashtu edhe do të përfitojnë nga kjo masë. “ tha për Portalb, Ermira Mehmeti.

Aktualisht në fuqi është ligji për shtesë për fëmijën e tretë me anë të së cilit të drejtë për të marrë 8.048 denarë çdo muaj para shtetërore për dhjetë vite kanë ata që kanë lindur fëmijën e tretë.

Ndërsa për in vitro për fëmijën e dytë këtë vit janë paraparë të jepen 150 milionë denarë.

“Me projektin in vitro falas për fëmijën e parë, vetëm vitin e kaluar janë bërë nga 800 in vitro , në vitet e para nga 1.500 in vitro për fëmijën e parë. Tani për fëmijën e dytë numri do të jetë dukshëm më i madh, që do të thotë se premtimi në mënyrë praktike veç më është në fuqi dhe mjetet në buxhet janë të planifikuara”, tha Nikolla Gruevski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button