Haraçinë: Të gjithë heshtin për problemin dy dekadësh me ujin

Komuna e Haraçinës tanimë 3 muaj po përballet me mungesën e ujit. Institucionet heshtin, por të njëjtën e praktikojnë edhe qytetarët. Këshilltarët komunal të kontaktuar nga Portalb thonë se as qytetarët nuk kanë guxim për protestë.

Për mungesën e ujit për Portalb ka folur këshilltari i pavarur Naser Ajdini.

“Çështja është ngre në Këshill po nuk ndërmerr askush asgjë. Edhe këshilltarët edhe qytetarët po ruhen, s’guxojnë as protestë me bë. Deshën të premten që kaloi me bë protestë edhe e lanë, nuk u bë. U ka hy frika popullatës, nuk guxojnë as protestë me bë”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët kanë paguar ujin dhe prapë1500 shtëpi kanë mbetur pa ujë. Ajdini thotë se qytetarët kanë nis me hap bunarë.

Të njëjtin shqetësim e ka ngre edhe Rami Sinani këshilltar i PDSH-së në Haraçinë

“Kemi biseduar me kryetarin dhe Këshillin komunal edhe jemi marrë vesh që të gërryejmë një bunar në fshatin Mujancë dhe me furnizuar fshatin me ujë. I kemi pas në dispozicion 100 mijë dollarë amerikan, prej 2012, që janë ende të pashfrytëzuar dhe nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim. Është katastrofë, njerëzit s’kanë ujë për pije, kanalizimi është katastrofë, ajri i ndotur, insekte plotë…”, është shprehur për Portalb Sinani.

Paralajmërimet e këshilltarëve redaksia i ka vërtetuar edhe nëpërmes disa kontakteve me banorë të Haraçinës, të cilët nuk kanë dashur që të prononcohen për problemet elementare, përfshirë këtu edhe problemin me ujin.

Banorët kanë vërtetuar problemin me ujin. Veç asaj, nga biseda me to kuptuam se ky problem daton më shumë se 20 vjet dhe secila garniturë politike po dështon për ta ngritur standardin e jetesës në Haraçinë.

I thirrur nga redaksia jonë për prononcim, kryetari i Komunës, Brahim Ajvazi pasi kuptoi pyetjen tonë, në lidhje me problemin me ujin, na tha se është në takim dhe nuk ka mundësi të përgjigjet./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button