Drita Islami gati për në Lojërat Olimpike (FOTO)

Në prag të fillimit të Lojërave Olimpike që do të mbahet gjatë muajit gusht në Rido De Zhaneiro të Brazilit, edhe Maqedonia do të ketë përfaqësuesit e saj, ku me gjashtë sportist do të jetë pjesëmarrëse e garës më prestigjioze në Botë. Nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë (KOM), thonë se udhërrëfyes drejt suksesit janë medaljet. Imperativ i të gjithë përfaqësuesve të Maqedonisë në LO në Rio De Zhaneiro janë të thyejnë rekordet kombëtare, por nuk është e fshehtë edhe dëshira për finale apo edhe ndonjë medalje eventuale.

Në ekipin e Maqedonisë bën pjesë edhe sportistja e vetme shqiptare nga Maqedonia, Drita Islami e cila edhe pse udhëton me dëshirë për të thyer ndonjë rekord shtetëror, njëkohësisht ajo do të kërkojë që të sigurojë edhe normën për pjesëmarrje në kampionatin evropian në atletikë, që do të organizohet vitin e ardhshëm në Poloni.

Islami: Me padurim e pres pjesëmarrjen në Rio

Në LO në Rio, Drita do të vrapojë në disiplinën 400 metra me pengesë dhe kërkon një rekord të ri shtetëror, por njëkohësisht edhe normë për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian për atletë deri në 23 vjet.

“Vlen të theksohet se jam e vetmja shqiptare nga Maqedonia dhe se deri më tani nuk ka pasur ndonjë femër shqiptare që më herët e prezantuar shtetin në Lojëra Olimpike, në evenimentin më të madh sportiv në Botë, ndjehem krenare me këtë  fakt që po hy në histori të sportit në vend.

Jam shumë e emocionuar dhe me padurim po e pres pjesëmarrjen në Rio. Të vrapohet në ngjarjen më të madhe botërore është një sfidë e madhe, është ky realizim i një ëndrre që po e ëndërroj që nga fillimi i karrierës sime”, ka thënë atletja Drita Islami, e cila në Lojërat verore olimpike në Rio do të vrapojë në disiplinën 400 metra me pengesa.

Drita Islami 2

Islami është e vetëdijshme se do të ketë një konkurrencë të madhe.

“Çdo rezultat nën 1:01,02 minuta, që e kam arritur në Ballkaniadën në Piteshti (Rumani), në muajin qershor, që është edhe rekord shtetëror i Maqedonisë, do të ishte sukses për mua. Do të jap gjithçka nga vetja që të vrapoj 1:00,75 minuta me çka do ta plotësoja normën për pjesëmarrje në kampionatin Evropian për atlet deri në 23 vjet në Bidgoshq (Poloni), ngjarje kjo që do të mbahet vitin e ardhshëm. Unë relativisht jam atlete e re për të arritur rezultat të lartë, kështu që qëllimi im është do të jenë Lojërat Olimpike Verore në Tokio 2020, ku do të dëshiroj të jem pjesëmarrëse me A-normë, rezultat që për mua është i arritshëm, sigurisht se me rregulla dhe punë të lodhshme në katër vitet e ardhshme”, ka thënë për PORTALB Drita Islami, studente e Universitetit Ballkanik në Shkup.

Drita Islami 1

Urime ditëlindjen Drita Islami

Drita e cila sot ka mbushur 20 vjet (e lindur me 1 gusht 1996), me atletikë ka filluar që nga mosha gjashtë vjeçare. Fillimet e gjetën të suksesshme atë në garat komunale në Saraj, ku ishte më e mira në secilën garë të mbretëreshës së sportit, ashtu siç e quajnë atletikën. Tani Drita stërvitet nën urdhrat e trajnerës Aleksandra Vojnevska-Zikova në arenën “Filipi i Dytë”, në Gazi Babë dhe në Parkun e Qytetit në Shkup.

“Disiplina ime është 400 metra me pengesë dhe është mjaft e komplikuar, por më pëlqen dhe mendoj se do të më pëlqejë. Nuk kam aspak frikë nga pengesat, por sigurisht se rol të madh luan shpejtësia. Gjithashtu shumë e rëndësishme është edhe koordinim i teknikës gjatë vrapimit, pas njërën nga këto elemente nuk ka rezultat të mirë”, ka thënë Drita për PORTALB, e cila si frymëzim për sukses ka atletet e njohura si amerikania Alison Feliks dhe Usein Bollt nga Xhamajka.

Ekspedita e Maqedonisë që niset për Rio me 2 gusht, përbëhet nga këta sportist, Drita Islami dhe Riste Pandev (atletikë), Katerina Nikollovska Xhudiste, Nina Ballaban (gjuajtje), dyshja e notuesve Anastasija Bogdanovski dhe Marko Bllazhevski. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button