KRYEVIOLINISTI

Nuk arrita ta përcjell koncertin e të famshmit Maksim Vengerov në Ohër.

Miku me të cilin duhej të niseshim kishte fjetur në kohën më të papërshtatshme, kurse celularin krejt silent e mban…Vonë u bë që të shkoja me bus, vonë të shkonim t00ë dytë kur më në fund u zgjua.
E mira e punës është që Vengerov ka rënë në dashuri me Ohrin…në këtë frymë i ka deklaratat për liqenin, kishat, rrugicat gjarpëruese dhe oborret senzacionale të shtëpive të vjetra, a i keni vërejtur si janë të zhytura në lule sidomos ato që janë më të fshehura? Ai ishte këtu edhe vitin e kaluar, sivjet kaloi pushim të vogël familjar në qytetin me erë mediterani…dhe ka gjasat të vijë përsëri në festivalin europian “Vera e Ohrit”. Intuita, udhërrëfyesi gati i pagabueshëm, më thotë që do ta dëgjojë live.

Në intervistën në “Tea” violinisti për të cilin thuhet se në dekadën e fundit nuk ka konkurrencë në botë flet sa me kompetencë aq me modesti.
Dy elemente përshkronin rrëfimin e tij:
E ka thënë Ajnshtajni “sa më e madhe dituria aq më e vogël egoja dhe sa më e vogël dituria aq më e madhe egoja”. Sa të dijë njeriu aq më tepër mendon se nuk di. Vengerov, ky kampioni i podiumeve të botës paraqitet si person që ka edhe shumë për të mësuar dhe vetëm në këtë kontekst flet për agjendën e ngjeshur dhe shpërblimet prestigjioze.

E dyta, pasioni për punën apo “lodrat në bark” për të cilët fliste gjyshja (në mungesë të ndonjë fjale më adekuate edhepse mua edhe kjo më duket mjaft ilustrative). Ky është çelësi i suksesit dhe lumturisë profesionale. E thonë kinezët “gjeje një punë që e do dhe do të ndihesh sikur nuk punon gjë”. Me fjalë tjera: ajo gjendja kur punën e përjeton si hobi, pra do ta kishe bërë edhe pa pagesë, nuk blihet me pare.

Pasioni është shtegu drejt zhvillimit të përgjithshëm, sado romantike të duket në lexim të parë.
Komuniteti i njerëzve që e mbajnë ndezur zjarrin profesional janë komuniteti që e shtyn para shoqërinë.
…ndërkohë dëgjoni jolive Maksim Vengerovin…artistin i cili një kohë nuk paska mundur të merret vesh me violinën e vjetër dhe të shtrenjtë…derisa nëna e tij ka nisur t’i flasë violinës me zemër, ditë për ditë…dhe violina është zbutur, duke u bërë pastaj e pandashme nga Vengerovi.
Kështu prap vijmë tek pasioni.

Gjegjësisht tek energjia që përcakton gjithçka.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button