Lëvizja BESA: Qeveria aktuale “shpërblen” mërgatën shqiptare me “pastrim nga lista”

Lëvizja Besa vazhdon me reagimet rreth listave zgjedhore në Maqedoni, kësaj rradhe nëpërmjet një komunikate nga kjo parti thonë se në vendimin tendencioz dhe mjaft të kontestueshëm të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për gjoja “pastrimin” e listës zgjedhore të bie në sy se shumica e personave që parashihet të fshihen janë mërgimtare shqiptarë, nën pretekstin se nuk kanë qëndrim te përhershëm në Maqedoni.

“Me këtë akt pushteti aktual VMRO-BDI (PDSH), së bashku me LSDM-në opozitare, përpos tendencës për reduktimin e votuesve shqiptarë në përgjithësi, godet drejtpërdrejt kategorinë e njerëzve që vazhdimisht kontribuojnë për vendin, respektivisht mërgimtarët tanë, që me remitancat e tyre ndihmojnë dukshëm në ekonominë e Maqedonisë. Për këtë edhe vetë guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, ka pohuar se afër 20 % e Prodhimit Bruto Vendor, pra rreth 1.6 miliardë euro, mbushet nga remitancat, duke konfirmuar tezën se pikërisht remitancat janë ato që e mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë. Thënë më konkretisht, mërgimtarët shqiptarë janë ata që e shpëtojnë Maqedoninë nga falimentimi, duke sjellë mbi 1 miliard euro për çdo vit. Gjithashtu remitancat e mërgimtarëve ndihmojnë në rritjen e devizave në qarkullim, duke stabilizuar rezervat devizore dhe luajnë rol kryesor në zbutjen e deficitit tregtar, madje pothuajse e mbulojnë këtë deficit i cili vazhdimisht shënon rritje. Këtu nuk guxojmë ta harrojmë edhe faktin se remitancat paraqesin edhe burimin e vetëm të financave për shumë familje dhe ndikojnë në zbutjen e varfërisë së skajshme që mbretëron në vend”, thuhet në komunikatë.

Edhe përkundër kësaj, sipas Lëvizjes Besa, qeveria aktuale e çiftit VMRO-BDI, si kundërshpërblim (peshqesh) për kontributin e tyre, mërgimtarët i largon nga listat e votimit dhe i bën “qytetarë ilegalë” në shtëpinë e tyre. Këtë që ua bën shqiptarëve, Qeveria VMRO-BDI (e mbështetur edhe nga PDSH e LSDM), është manifest i social-fashizmit shtetëror dhe mendësisë sllavo-maqedonase se shqiptarët në Maqedoni mund të qëndrojnë si shërbëtorë që sjellin ujemin vjetor, normal me aminin e vasalëve shqiptarë në pushtet.

“Duke parë këtë shkallë të lartë të mosmirënjohjes dhe diskriminimit me trajta racizmi, pyesim se deri kur Qeveria e Maqedonisë do t’i konsiderojë mërgimtarët tanë vetëm kategori shfrytëzimi? Duke mësuar fatkeqësisht nga leksionet e këqija që ky pushtet ua jep mërgimtarëve tanë, Lëvizja BESA deklaron se assesi dhe në asnjë variant nuk do të lejojë nënçmimin e mërgatës shqiptare, ndërsa do të angazhohet fuqishëm që ta parandalojë këtë tendencë për fshirje të tyre nga listat e votimit. Ne nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet kontributi i vazhdueshëm i mërgimtarëve tanë dhe ata të llogariten shërbëtorë në shtëpinë e tyre” thuhet më tej në komunikatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button