EULEX përgjysmon stafin, 800 veta largohen nga puna

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it deri më 14 qershor 2018 parasheh edhe rikonfigurimin e Misionit.

Ky rikonfigurim, i cili nënkupton përgjysmimin e stafit të Misionit, do të kryhet deri në muajin dhjetor të këtij viti. Kështu ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

“Vazhdimi i fundit i mandatit të EULEX deri në 14 qershor 2018 gjithashtu parasheh një rikonfigurim të Misionit”, tha ajo.

Kocijancic theksoi se deri në dhjetor të këtij viti EULEX-i pritet ta përfundojë rikonfigurimin.

“Me këtë rast, Misioni do të ketë 800 punonjës krahasuar me 1600 sa kanë qenë në mandatin mëparshëm”, tha Kocijançiç për KALLXO.com.

Sipas zëdhënëses së KE-së, rikunfigurimi do të përfshijë si stafin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar të Misionit.

Ajo shtoi se rikonfigurimi ndjek parimet që janë zbatuar me sukses në reduktime të mëparshme të stafit për të siguruar një proces të pavarur dhe transparent, i cili gjithashtu përfshin ekspertë të jashtëm të Misionit.

“EULEX Kosova po përpiqet të jetë sa më transparent dhe i hapur në komunikim me stafin e tij për të mundësuar që çdo pjesëtar i prekur të përgatitet sa më mirë të jetë e mundur”, u shpreh ajo.

Ndryshe, KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga misioni i EULEX-it në Kosovë.

Por, zëdhënësja e Misionit, Besa Domi, tha përmes e-mailit se “misioni në parim nuk komenton për stafin, numrat apo kontratat individuale”.

Këshilli Evropian ia ka vazhduar më 14 qershor mandatin EULEX-it edhe për dy vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button