Vakum pushteti në Lindjen e Mesme

Dhuna e fundit ka ekspozuar diçka të re dhe destabilizuese: një Lindje të Mesme pas-amerikane, ku asnjë ndërmjetës nuk ka forcë apo vullnet për të frenuar urrejtjet sektare

Pamjet e ditëve të fundit kanë një ngjashmëri të frikshme, sikur të ishin një reprizë e tmerreve të dekadës së kaluar: Sulmuesit e maskuar duke rimarrë qytetet irakiane të Falluxhës dhe të Ramadisë, ku kanë vdekur shumë ushtarë amerikanë.

Veturat me bomba duke shpërthyer në mes të elegancës së qendrës së Bejrutit. Kasaphana e luftës së përshkallëzuar civile të Sirisë.

Por, përkundër ngjashmërive, gjakderdhja që e ka kapluar Irakun, Libanin dhe Sirinë në dy javët e fundit ka ekspozuar diçka të re dhe destabilizuese: një Lindje të Mesme pas-amerikane, ku asnjë ndërmjetës nuk ka forcë, apo vullnet, për të frenuar urrejtjet sektare, ka shkruar NYT.

Në mes të këtij vakum, fanatikët islamikë kanë lulëzuar në Irak dhe në Siri nën flamurin e Al-Qaedas, teksa konfliktet e dy vendeve amplifikojnë njëri-tjetrin dhe ushqejnë një radikalizëm gjithnjë e më të madh.

Prapa shumicës së kësaj qëndron rivaliteti i dy fuqive të mëdha të naftës, Iranit dhe Arabisë Saudite, sunduesit e të cilëve – që pretendojnë të përfaqësojnë islamin shiit, përkatësisht sunit – ndjekin një agjendë sektare që e konsideron herezi gati çdo lloj kompromisi.

“Unë konsideroj se ne po përjetojmë një kthesë të madhe, dhe ajo mund të jetë një prej më të këqija në tërë historinë tonë”, thotë Elias Khoury, novelist dhe kritik libanez, i cili ka përjetuar 15-vitet e luftës civile në vendin e tij. “Perëndimi nuk është këtu më, dhe ne tani jemi në duart e dy fuqive rajonale, sauditëve dhe iranianëve, të cilat janë fanatike në mënyrën e tyre. Unë nuk shoh se si munden ato të arrijnë ndonjë marrëveshje, ndonjë zgjidhje racionale”, deklarohet ai.

Zhurma e dhunës në javët e fundit kërcënon të sjellë prapë më të keqen e luftës civile irakiane që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shkaktuar me një pushtim dhe më pas kanë shpenzuar miliarda dollarë dhe mijëra jetë ushtarësh për ta tejkaluar.

Me tërheqjen e mundshme të forcave amerikane në Afganistan më vonë këtë vit, shumë njerëz frikohen se edhe në këtë vend do të shpërthejë një kryengritje, duke e çuar dëm edhe një përpjekje tjetër amerikane për shtetndërtim.

Lajme të ngjashme

Back to top button