fbpx

Kusari-Lila, Vulinit: Mendo, para se të nisesh për në Gjakovë

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj vizitës së paralajmëruar të ministrit serb, Aleksander Vulin, në Gjakovë për Krishtlindjen ortodokse.

Kusari-Lila, përmes një reagimi publik në rrjetin socialë ‘Facebook’, ka thënë se para se Vulin të shkelë në territorin e Gjakovës, le të ndalet e të mendojë mirë, pasi po shkelë në një prej komunave më të lënduara nga lufta dhe masakrat.

Kryetarja e Gjakovës ia ka përkujtuar ministrit serb të bëmat e shtetit të tij ndaj popullatës civile kosovare gjatë luftës së vitit 1998, si dhe ekspozitën e fundit të familjes Bogujevci që mbajtur në Beograd. “Nga viti 1998 e deri tek masakrat e vitit 1999 shumë familje gjakovare përjetuan terrorin e familjes Bogujevci të cilin ju tani e patë në Beograd”, ka shkruar Mimoza Kusari-Lila.

Në fund, ajo ka kërkuar nga ministri serb që të mos lodhet fare që ta realizojë këtë vizitë, pasi që askush nuk e trazon kishën, ndërsa, siç u shpreh ajo, “ardhja jote do të ndikojë keq edhe në qetësinë e kishës ortodokse”.

Në vijim, lexoni të plotë letrën publike që kryetarja e Gjakovës, ia ka drejtuar ministrit serb, Vulin:

Para se të nisesh për në Gjakovë duke dashur të gjej kuptim të (pakuptimtë) ardhjes së ministrit pa portofol të Serbisë në Gjakovë, i propozoj së pari, të ri-mendojë ardhjen e tij në komunën e lënduar nga lufta dhe nga masakrat.

Në Beograd kohë më parë keni dëgjuar dhe keni parë materiale nga terrori të cilin e kanë përjetuar të mbijetuarit e familjes Bogujevci. Kryeministri juaj u mundua disi të gjej mënyrat të barazojë krimet dhe deklaroi se në të dy anët ka pasur viktima. Nuk ka ekuacion i cili mund të nxjerr barazimin në mes të viktimës dhe agresorit.

Ende pa shkelur këmba juaj në territorin e Komunës së Gjakovës deklaroni se në Gjakovë kanë jetuar 12.000 serb dhe më nuk janë. Në Gjakovë kurrë nuk kanë jetuar 12,000 serb, me siguri as 10,000 nuk kanë qenë. Ata serb nuk kanë ikur nga shqiptarët, por nga krimet e bashkëkombësve të vet. Nga viti 1998 e deri tek masakrat e vitit 1999 shumë familje gjakovare përjetuan terrorin e familjes Bogujevci të cilin ju tani e patë në Beograd.

Nëse e kërkon arsyen pse nuk janë më serbët në Gjakovë, vizitoji varrezat në fshatin Mejë, shikoji mirë ditëlindjet dhe emrat e të vrarëve dhe masakruarve me 27 prill. Aty do gjesh 12 vjeçar, 13 dhe 14 por edhe 80 vjeçar të vrarë dhe të masakruar.

Ndalu në fshatin Korenicë dhe takoji jetimet e këtyre familjeve, tani disa janë rritur dhe nuk do kuptojnë asgjë nga ajo çfarë thua, por do të urrejnë këmishën tënde të zezë se do të ju kujtohen ngjarjet e treguara nga familjarët për këmishëzinjtë.

Kur të kalosh pranë varrezave të qytetit, mbaje kokën ulur se dëshmorët janë varrosur aty dhe mund të ndiejnë erën nga Çabrati ku pushojnë eshtrat e atyre që njëherë u zhduken e pastaj u kthyen. Ngjitu në Çabrat dhe pyet çfarë ju ndodhi më 7 maj, tregoju nëse mundesh ndonjë lajm, a ka të tjerë në Rashkë të paktën eshtrat të jenë bashkë. Ka shumë dhimbje në atë kodër, shumë gjak dhe lot u derdh në atë vend. Shikoji fytyrat në panon e vendosur në hyrje dhe mundohu të mos barazosh asgjë se nuk ka ekuacion që do funksionojë.

Tregoi Nënës Ferdane a po i kthehen edhe dy djem nga katër të vrarë dhe bashkëshorti? Njërin e pat vetëm 14 vjeç, në pizhame ia morën nga gjiri, ajo ende po e pret kthimin e eshtrave të tyre. Para se të nisesh, mundohu të gjesh përgjigje për vrasjet e grave dhe fëmijëve të familjes Vejsa dhe Caka. Ndalu tek ura e Taliqit, në rrugicën në të majte, ka mure ende me gjurmë plumbash nga pushkatimet të cilat ndodhën para syve të familjarëve. Disa të mbijetuar do të tregojnë edhe emrat e vrasësve të më të dashurve të tyre.

Nëse nuk je gati të flasësh për kriminelët disa prej të cilëve janë ende të lirë, mos u nisë fare. Nëse ke ndonjë dëshirë për të nderuar duhet të mbushesh një kamion me kurora dhe të vizitosh varre dhe varreza në Mejë, Korenicë, Rracaj, Sheremet, Ramoc, Çabrat, Cërmjan, Rogovë, Skivjan, e çdo kund në komunën tonë. Në Gjakovë ka ende plagë, ende derdhen lot dhe ka mllef. Nëse mendon të nisesh, unë e para e Komunës të them Mos U Nis. Mos eja për hir të plagëve dhe mundësisë së trazimit të këtyre plagëve. Mos eja se asgjë nuk e arsyeton ardhjen tënde.

Mos eja se nuk ka forcë qe e ndal mllefin dhe hidhërimin e familjeve të cilat ende presin lajm për më të dashurit e tyre. Mos eja nëse nuk je gati të thuash Më falni për krimet dhe gjenocidin. Në Gjakovë mund të vish vetëm me kërkim faljen zyrtare nga shteti. Mos eja se askush nuk e trazon kishën, ndërsa ardhja jote do të ndikojë keq edhe në qetësinë e kishës ortodokse.

Mos eja, nëse mendon se procesi i dialogut duhet të ketë sukses. Ardhja jote e rrezikon vijimësinë e dialogut për arsye se do të ju jap të dyja palëve arsye të distancoheni nga njëra tjetra. Mos eja nëse mendon se shteti juaj është në rrugë drejt BE-së dhe nëse synon respektimin e standardeve të BE-së.

Unë do të kërkoj zyrtarisht mos lejimin e ardhjes tënde në Gjakovë, nuk je gati për këtë ardhje dhe nuk jemi gati të presim. Ne shqiptarët mikpritjen e kemi atributin kryesor, por me ty, me ju, ende nuk mundemi, nuk është koha, nuk janë kushtet, nuk jeni gati.

Mysafirët nderojnë shtëpinë tonë, me ty ndihemi të ofenduar, të lënduar dhe të poshtëruar. I bëj apel Qeverisë së Kosovës, Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe Bruksel, Misionit të EULEX dhe KFOR-it, nëse misioni juaj është qetësia dhe siguria, mos e lejoni këtë ardhje, nuk është koha, nuk është vendi.

Na leni të vazhdojmë përpjekjet tona për rimëkëmbje dhe ngritje të kualitetit të standardit të jetës në komunën tonë, mos na ngarkoni, shqetësoni dhe trazoni me këtë ardhje të panevojshme, kafshatë që nuk kapërdihet nga Gjakova. Ju faleminderit për mirëkuptim! /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button