Kosovarët, tranzit përmes Shqipërisë

Festat e fundvitit kishin kthyer në atdhe për të festuar me të afërmit e tyre emigrantët kosovarë. Ditët e para të janarit kanë shënuar fluks emigrantësh në pikat kufitare, të cilët kanë nisur të largohen drejt vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë.

Emigrantët kosovarë shprehen se çdo vit zgjedhin Shqipërinë për të kaluar tranzit për në vendet e Europës, ndonëse rruga është pak më e gjatë.

“Këtu kemi kaluar shumë lehtë dhe shpejt. Që kur është ndërtuar autostrada, është shumë më mirë të kalohet nga Shqipëria. Ka më shumë rrugë, por nuk presim shumë”, thonë emigrantët kosovarë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Morinit, në Kukës, janë regjistruar mbi 7 mijë shtetas në hyrje dhe kanë dalë prej saj më shumë se 5 mijë të tjerë. Përmes pikave të kalimit kufitar të Kukësit, në javën e parë të vitit 2014, kanë dalë nga Kosova për në Shqipëri rreth 16 mijë shtetas kosovarë, kryesisht emigrantë.

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit po punon me 6 sportele dhe personel të shtuar si dhe mendohet se fluksi i hyrjeve në territorin e Shqipërisë do të shtohet në ditët në vazhdim.(TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button