Tetovë, mbetet e paqartë a do të rritet çmimi i ujit

“Qytetarët e Tetovës duhet të paguajnë çmime më të larta për ujin e pijshëm, mirëpo vendimi nuk është marrë ende”-kështu u shpreh për Portalb, drejtori i NPK Xhelal Ceka.

Sipas tij, bordi i ndërmarrjes ka analizuar çështjen dhe ka dalë në përfundim se çmimi i ujit të pijshëm për qytetin e Tetovës do duhet të rritet për rreth 40 %. Kjo kërkesë i drejtohet Këshillit komunal dhe i takon atij të fundit të japë vendimin përfundimtar.

“Me çmimin aktual nuk mund të mbijetojmë si ndërmarrje, pra ,rritja e çmimit është e nevojshme. Tarifa për ujin e pijshëm në qytetin e Tetovës është e njëjta me atë që ka qenë para 10-15 vitesh, ndërkaq tarifat e derivateve dhe rrymës kanë pësuar ndryshime” tha Ceka.
Aktualisht qytetarët e Tetovës paguajnë 8.89 denarë për m3 (metër kub) ujë dhe me shumë gjasë çmimi do të rritet nga 12-14 denarë. Sipas të dhënave zyrtare, sasia e furnizimit me ujë është 170 litër për 1 sekondë.

Kjo sasi është e pamjaftueshme dhe paraqet probleme sidomos në disa zona të caktuara p.sh në pjesën mbi Arabati Baba Teqe,në disa pjesë të Çarshisë së Epërme, Drenovec etj. 

Qyteti i Tetovës furnizohet me ujë nga tre burimet e Sharrit dhe rezervuari kryesor. NPK ka bërë marrëveshje me Institutin për shëndet publik sa i përket analizës së ujit, gjegjësisht përbërjes dhe nivelit të pastërtisë ku ky i fundit merr mostra dhe vrojton në pjesë të ndryshme të qytetit gjendjen e ujit të pijshëm ç’do muaj.

Veç të tjerash nga muaji maj pritet të fillohet me sistemin e ri të ujësjellësit prej 8 kilometra e gjysmë, ku sipas Komunës së Tetovës janë siguruar mjete nga ana e buxhetit të Maqedonisë.

Rritja e tarifës për ujin e pijshëm indinjon qytetarët, ato shprehen të pakënaqur me vendimin që mendohet të sillet.

 “Papunësia mbizotëron dhe kjo rritje e çmimit do të cënojë dukshëm ekonominë tonë ” shprehet qytetari R.Abedini.

Megjithatë, sipas Cekës qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke treguar vëmendje në mënyrën se si e shfrytëzojnë ujin sepse kjo ndikon në pamjaftueshmërinë e furnizimit.

Blerona Jakupi, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button