Letër e hapur partive politike shqiptare!

Të nderuar udhëheqës të partive politike, e posaçërisht e nderuar organigramë e partisë shqiptare në pushtet.

U bënë 5 vjet që kur policia sllavomaqedonase ndërmori aksionin e saj famëkeq duke bastisur shtëpitë tona. U bënë 5 vjet që kur policia speciale ë këtij shteti të dhunshëm bastisi, maltretoi dhe terrorizoi familjen tonë, në fshatin Opajë.

U bënë 5 vite që kur vëllai jonë, bashkëshorti, axha, Rexhail Qerimi, ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, u burgos për gjoja vrasje të një polici.

U bënë 5 vite që kur organet e drejtësisë së Maqedonisë, përmes procesit të montuar politik, duke shkelur çdo normë dhe konventëndërkombëtare, arrestoi, maltretoi, burgosi dhe i shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm për një vrasje që ai nuk e ka bërë asnjëherë. Krejt kjo ngase në ato momente ai ka qenë në fshatin e tij të lindjes, në Opajë.

Për këtë kemi edhe dëshmitë e fshatarëve në gjyq. Për dëshmimin e pafajësisë së vëllait tonë ekziston edhe CD-ja e cila do të ndihmonte në zbardhjen e këtij rasti, andaj kërkojmë nga ju që të nxisni këto organe që të zbardhin këtë CD.

Kërkojmë angazhimin tuaj konkret me vepra e jo me fjalë, në drejtim të lirimit të vëllait tonë Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë, Kumanovë, si dhe shokët e tij Agim Islami (27) nga fshati Rashçe, Shkup, dhe Almir Dërlanjin (31) .

Për këtë ekziston edhe dëshmia e babait të policit të ndjerë, i cili në gjykatë u shpreh se këta (duke aluduar në Rexhailin me shokë) nuk janë vrasësit e birit të tyre.

Duke marrë në konsideratë gjithë këto që janë cekur më lartë, më lejoni që të shprehim indinjatën tonë të thellë me heshtjen dhe me mosreagimin tuaj në këtë rast, e në shumë raste të tjera. Andaj nëse mëtoni të përfaqësoni interesat shqiptare, kërkojmë me çdo kusht të merrni parasysh këto kërkesa tona.

Besoj duhet të keni parasysh thënien e Çurçillit “bëjeni atë që nevojitet”.

E ajo që nevojitet është lirimi i shqiptarëve të pafajshëm, e kësisoj edhe vëllait tonë.Çdo problem zgjidhet po pati ekspertizë të saktë, e shpresojmë edhe ky problem i yni.

Ne familja Qerimi nuk kërkojmë nga ju të na mundësoni ta kuptojmë lirinë, kërkojmë nga ju që të na mundësoni ta jetojmë atë.

Duke kërkuar nga ju të bëni atë që është e mundur, lirimin e vëllait tonë, ne kërkojmë një gjë të mundur e jo të pamundur. Ngase siç do të thoshte edhe Napoleon Bonaparta “e pamundura është vetëm fantazmë e të druajturve dhe strehë e frikacakëve”.

Me respekt, Familja Qerimi nga fshati Opajë,
Përfaqësuesi i familjes : Jetulla Qerimi

Lajme të ngjashme

Back to top button