Vinca: Të pangushëlluarit kanë ilaç poezinë

Selami Vinca lindi në fshatin Veleshtë të Strugës në 21 maj 1942.Tetëvjeçaren  e kreu në shkollën “Fejzi Vinca” në vendlindje ndërkaq të mesmen dhe shkollën e lartë profesionale në Normalen e Shkupit. Në vitin 1962 do të nisë të ushtrojë profesionin e tij ku dhe pas 38 vitesh punë si mësimdhënës del në pension. Jeton dhe punon në vendlindje dhe vazhdon merret me shkrime të ndryshme për fëmijët dhe të rriturit. Portalb realizoi një intervistë me të si veteran i arsimit dhe shkrimit.

Intervistoi: Blerona Jakupi

Portalb: Libri juaj i parë ishte “E sotmja ka një të djeshme” , tani pas shumë vitesh çfarë mund të na thoni për këtë vepër?

Vinca: Vepra ime e parë ka qenë Nuk mund të them asgjë për të sepse kanë folur dhe kanë kritikuar të tjerët. Dashuria për truallin dhe pragun, për arsimin, për luftën pa kompromis të ç’do lloj qeverie dhe pushteti që binte ndesh me interesat e mëdha kombëtare. Unë si shumë shqiptarë të tjerë, dhunën dhe torturat fizike e psikologjike ,prangat dhe burgosjet e atëkohshme ende i kam të freskëta. Kjo është ajo për të cilën kam shkruar në veprën time të parë por edhe në vëllimet e sapobotuara me poezi.

Portalb: Ku e gjeni fryëzimin për të shkruar?

Vinca: Tek fjala e bukur poetike dhe mendimi i rrjedhshëm artistik. Te lulja e bukur, te dielli i pranverës, kopshti me aromën e barit të njomë. Meditimi-natyra, mendja dhe shpirti nisin fluturimin dhe askush nuk i burgos dot. Më inspiron kënga e zogjve të cilët vdesin duke kënduar, si ata poetët e lashtë dhe të ditëve tona që me kitara, mandolina dhe violina rrëfejnë dhimbjen. E gjej tek e kaluara e rëndë dhe vuajtjet që kanë ngelur cikatriks dhe që i shoh e i ndjej edhe sot. Te asociacionet sublime, dëshmorët e rënë, burrat e historisë, përmbushja e boshllëqeve të mëdha dhe rindërtimi i historisë. Këto dhe shumë të tjera janë gurra frymëzimi për mua.

Portalb: Konkretisht, çfarë tematike prekin poezitë e sapobotuara?

Vinca: Poezitë e sapobotuara kanë tematika të larmishme dhe janë ndarë në cikle. Pra, dy vëllimet “O këngët e mia” dhe “Dallëndyshe eja” kanë tematika sa aktuale aq edhe të kahershme por që unë dhe brezi im i kemi aktuale sidoqoftë. Poezi të ndryshme për familjet e internuara shqiptare, për sundimin e egër, poezi për dashuri të humbura, për atdheun e shtrenjtë etj.

Portalb: Po tani, jeni duke shkruar diçka?

Vinca: Aktualisht po shkruaj diçka në prozë, “Pa të kaluar nuk ka ardhmëri”, megjithatë jam në shkrime e sipër.

Portalb: Na thoni, çfarë ka ndikuar në krijimtarinë tuaj?

Vinca: E kaluara e dhimbshme dhe e tanishmja.

Portalb: Çfarë paraqet poezia për ju, është një kanal ku të themi, shprehni atë që ju fle në zemër?
Vinca: Ngushëllim për të pangushëlluarit. Është e nevojshme poezia për rrethanat në të cilat veprojmë e punojmë. Këto rrethana sikur e kushtëzojnë orientimin e këtillë. Poezia e vret monotoninë, s’arrij të paramendoj jetën pa ushqimin poetik.

Portalb: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë?

Vinca: Të lexojnë librat të përqëndruar, ngadalë, me kujdes t’i studiojnë vargjet. Dua që vargu i poezive të mia të frymëzojë të gjithë lexuesit e mi. Një shkrimtar i madh thotë një mendim të mrekullueshëm :
“E kaluara është shpenzuar në të tashmen, kurse e tashmja jeton për të lindur e ardhmja”

Lajme të ngjashme

Back to top button