Të hënën fillon fushata elektorale për kandidatët presidencial

Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale fillon më 24 mars ditën e hënë. Partitë politike bëjnë përgatitjet e fundit para fillimit të takimeve me qytetarët. Nga shtabet e tyre zgjedhore informojnë se kësaj radhe fushata elektorale do të jetë më ndryshe se herrave tjera.

Nga PDSH-ja, paralajmërojnë për një lloj tjetër të fushatës, ku do ti kushtohet më shumë kujdes takimit me qytetarët dhe pa mitingje masive. Kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi të hënën do të ketë takim me qytetarët në Çair.

VMRO-DPMNE, fushatën elektorale për president do ta fillojë në Ohër, nga ku rregullisht i fillon aktivitetet parazgjedhore. Gjatë fushatës, VMRO-ja do të majë mitingje dhe takime me qytetarët. Kandidati presidencial Gjorgje Ivanov do të mbajë edhe tubime të vogla me qytetarët në gjithë vendin.

LSDM-ja ka bërë të ditur se fushatën për zgjedhjet presidenciale do ta fillojë me konventën që do ta mbajë në sallën Universale, ku do të promovojnë kandidatin presidencial, Stevo Pendarovskin. LSDM-ja, njofton se do të zhvillojë një fushatë më ndryshe ku do të përqendrohet më tepër në takime me qytetarët, por do të ketë edhe mitingje.

GROM, kandidatin e saj për president Zoran Popovski, fushatën elektorale do ta fillojnë nga Komuna Karposh, ku do të organizojnë një tubim qendrorë. Ata paralajmërojnë se do të zhvillojnë një fushatë pozitive.

Lajme të ngjashme

Back to top button