Padia Kushtetuese do ti ul ankesat e shumta para Gjykatës së Strasburgut

Me anë të aplikimit të Padisë Kushtetuese që paraqet një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Maqedonia do ta ul numrin e ankesave para Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, numër i cili dita –ditës rritet si pasojë e mos-funksionimit të sistemit juridik në vend. Ekspertët alarmojnë se Maqedonia është vend i vetëm në rajon që nuk ua mundëson qytetarëve të saj ta përdorin këtë mekanizëm, gjegjësisht për rastet ku ata vlerësojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre të drejtohen me padi në Gjykatën Kushtetuese.

“Në Maqedoni ka mundësi të zbatohet padia kushtetuese në raste kur kërkohet mbrojtje të drejtave të njeriut, është mekanizëm efikas juridik. Ne jemi i vetmi vend në regjion që nuk e përdor padinë kushtetuese si instrument, të paktën për ato të drejta, të cilat mund të mbrohen para gjyqit kushtetues, e të mos flasim për të drejtat e tjera. Kjo padi mund të përdoret në lirinë e të shprehurit, në pjesën e diskriminimit, do të thotë këto janë të drejta, të cilat në kushtetutë janë të rregulluara në mënyrë taksative, dhe ku mundet padia kushtetuese të vendoset. Gjykatat tona aspak nuk i referohen Konventave Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rastet të cilat ata gjykojnë” tha ish gjykatësja e Maqedonisë në Strasburg, Margarita Caca Nikollova në debatin e sotëm “Vendosja e Padisë Kushtetuese në Maqedoni” organizuar nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian (QMAE).

Numri i padive nga Maqedonia në Strasburg është rritur prej 400 deri në 900 aplikime në vit, informoi Konstadin Bogdanov, agjent qeveritar në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut.

“Numri më i madh i aplikimeve janë për proceset gjyqësore të stërzgjatura, por ka dhe ankesa të tjera. Është fakt që nëse ne e aplikojmë padinë kushtetuese si mekanizëm të nevojshëm vendor, të gjithë aplikuesit para se ta përdorin gjykatën e Strasburgut do të mund ta përdorin edhe këtë mekanizëm, me çka i jepet mundësi ndonjë gjykate vendore, kryesisht Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë situatën para se të vijë në Strasburg.” tha Bogdanov.

Organizatori i debatit, Andreja Stojkovski tha se është mirë të fillohet të diskutohet në publik për këtë mekanizëm, por deri më tani gjyqtarët e Gj. Kushtetuese nuk kanë treguar ndonjë interesim për tu kyçur në biseda.

“Ne e njoftuam gjykatën, dërguam përshkrim zyrtar, biseduam me disa nga gjyqtarët. Thirrja u injorua sepse nuk morëm asnjë lloj informacioni, as përgjigjeje për pjesëmarrjen e tyre” tha mes tjerash Stojkovski i cili gjithashtu deklaroi se në ditët në vijim QMAE do ta publikojë studimin e tyre në lidhje me mekanizmat mbrojtës të së drejtave të njeriut në Maqedoni me rezultate konkrete për atë se sa shkelen të drejtave të njeriut në Maqedoni dhe cilat janë mënyrat përmes të cilave qytetarët mund të kërkojnë mbrojtje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button