PDSH me dokument akuzon ministrin Saraçini për korrupsion, Saraçini: jam i pastër

Sot në zyrat e Partisë Demokratike Shqiptare në Çair anëtari i kryesisë qendrore, Orhan Ibraimi, ka prezantuar një dokumentacion me një pjesë të deklaratës të sipërmarrësit, ku sipas PDSH-së, konstatohet krimi që po zhvillohet në Ministrinë e Ekonomisë udhëhequr nga Valon Saraqini.

Dokumentacioni i prezantuar, përmban vetëm paragrafin e parë, ku shkruan se biznesmenit i është kërkuar që të shkojë në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë dhe të japë 10.000 euro për të fituar koncesionin, në të kundërtën nëse nuk jepet mitoja, atëherë  lokaliteti, për të cilën nuk potencohet se cilës komunë i takon, do ti jepet dikujt tjetër.

“Është sekret publik që në ministrinë e ekonomisë çdo shërbim ka një çmim i cili duhet të paguhet nga palët e interesuara ne qoftë se duan që të marrin ndonjë leje, koncesion apo ndonjë tender! Është e habitshme që kjo situatë tolerohet me vite të tëra dhe nuk ndërmerret asgjë për të ndalur ketë krim”, thotë Orhan Ibrahimi. 
PDSH-ja kërkon urgjentisht që organet kompetente të ndërmarrin masa konform ligjit.

Në dokumentacionin e prezantuar përveç tekstit të shkurtër në gjuhën maqedonase, nuk shihet ndonjë vulë.

Saraçini: Jam i pastër, dokument i pavlefshëm

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, i demantoi këto akuza në një konferencë për shtyp.

„Nuk do të lejoj të cënohet kredibiliteti im personal e as kredibiliteti i të punësuarve në Ministrinë e Ekonomisë, me akuza paushale dhe populiste. Nëse PDSH disponon me fakte lidhur me të punësuarin, për të cilin thonë se ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme, i ftoj që ti dorëzojnë dëshmitë në institucionet kompetente, pas së cilës do të veprohet sipas ligjit. 
Nëse ekziston një rast i tillë ai duhet të qartësohet dhe i njëjti të sanksionohet, në të kundërtën nëse bëhet fjalë për deklarata populiste, shkaktohen dëme të paevitueshme reputacionit të gjithë të punësuarve në këtë institucion të cilët në mënyrë të ndershme e kryejnë punën e tyre”, deklaroi ministri Saraçini.

Ministri Saraqini paralajmëroi edhe padi private nëse do të vazhdojnë sulmet e pabaza kundër tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button