Hulumtim: Ja cili qytet është rekorder në shpërnguljen e të rinjve dhe njerëzve të arsimuar në Maqedoni

Shpërngulja e të rinjve nga Ohri për dhjetëra vjetë mund ta ndryshojë pikëpamjen demografike të qytetit, konsiderojnë ekspertët.

Miki Trajkovski

Filip Nikollovski dhe pesë shokët e tij këtë verë do të shkojnë në ShBA si studentë në kërkim të fitimit më të mirë. Thonë se kanë vendosur të ndërmarrin një hap të tillë, sepse mundësitë për punësim në qytetin e tyre të lindjes janë në minimum. Të rinjtë të dëshpëruar tregojnë se nëse nuk ke kartelë partiak, atëherë zgjedhja e vetme të mbetesh të punosh në ndonjë prej kafeneve apo restoranteve lokale, ose përsëri të presësh të vijë sezoni turistik që të punësohesh si punëtor sezonal.

“Për tre deri katër muaj në ShBA mund të fitosh rreth 8.000 dollarë, madje edhe më shumë se kjo. Ato janë të holla të cilat këtu nuk mund t’i fitojmë për disa vite. Planifikojmë të punësohemi në ndonjë hotel në vende të ndryshme pune, por me mundësi për punë shtesë. Kushtet për të shkuar janë të jesh student i rregullt dh të kesh marrë pjesën më të madhe të provimeve gjatë vitit vijues të studimeve”, shpjegojnë djelmoshat planet e tyre…

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, Ohri është në majën e listës në Maqedoni për numrin e migrimit. Qendra jonë më e madhe turistike zbrazet vazhdimisht. Në publikimin e këtij institucioni të titulluar si  “Migrime 2014” – nga Ohri kanë migruar 643 persona prej të cilëve 375 kanë ikur jashtë shtetit. Kurse, në vitin e mëparshëm, numri i personave të migruar nga Ohri ka qenë rreth 1.000.

Ose, në krahasimin me numra, gjatë tetë viteve të fundit nga Ohri zyrtarisht kanë migruar 6.066 persona. Numrat më alarmues janë regjistruar në vitin 2012, kur kanë migruar 1.296 persona, kurse ai numër në vitin 2011 ka qenë 1.069. Si është trendi momental nuk mund të bëhet krahasimi sepse të dhënat për vitin 2015 nuk janë shpallur ende.

Gjermania dhe Amerika destinacionet më të preferuarve për të rinjt e Ohrit

Liqeni i OhritTë rinjtë nga Ohri më shpesh shkojnë në Evropën Perëndimore, Amerikë apo në kryeqytet – Shkup. Të ballafaquar mungesën e perspektivës në qytetin e lindjes gjithnjë dhe më tepër të rinj fillojnë të marrin kurse për gjuhën gjermane. Motivi është blerje e biletës në një drejtim për Gjermaninë, sepse pushteti nga ky vend shpalli se tek ta ka mungesë të fuqisë së punës. Nga ata që shkojnë në këtë shtet të Evropës-Perëndimore, më i madh është numri i mjekëve të rinj dhe i personelit mjekësor, por shkojnë edhe persona me profile dhe profesione të ndryshme. Numrin e zmadhuar të dëgjuesve të gjuhës gjermane e vërtetojnë edhe disa shkolla për gjuhë të huaja.

“Interesi për mësimin e gjuhës gjermane zmadhohet çdo ditë. Pjesa më e madhe e bëjnë me qëllim që të shkojnë me punë në Gjermani. Ka dhe të tillë të cilët kërkojnë orë individuale”, thonë nga një shkollë për gjuhë të huaja në Ohër, të cilët insistuan për anonimitet.

Ohri jeton me të vërtetë vetëm tre deri katër muaj në vit. Më i gjallë është gjatë sezonit turistik dhe gjatë festave të fundvitit. Siç do të thoshin nga Ohri duke i komentuar ndodhitë aktuale, në periudhën e ardhshme të vitit – “Ohri ngjan me një qytet të vdekur”. Në periudhën e dimrit, rrugët pas orës 20 janë pothuajse të zbrazëta, kurse e ngjashme është gjendja edhe me dyqanet lokale, prandaj disa pronarë janë të detyruar t’i mbyllin objektet gjatë dimrit.

Vesna Cvetanovska është ohridase e papunësuar, e cila është magjistre e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo thotë se është shqetësues fakti se këto tri vitet e fundit është zmadhuar intensiteti i të rinjve të cilët ikin nga Ohri.

“Të dhënat e institucioneve përkatëse se komuna gjendet në vendin e parë për shpërnguljen e të rinjve në shtet, janë krejtësisht relevante. Diçka është me të vërtetë e “kalbur” në qytetin e Ohrit, i cili me hapa të sigurte po e humbet shkëlqimin jo vetëm të një prej gjigantëve më të mëdhenj industrialë në suazat e shteteve të ish-Jugosllavisë por bëhet dhe po zvogëlohet edhe interesi për të si qendër turistike”, thotë Cvetanovska.

Sipas saj, këto të dhëna duhet ta ndezin alarmin jo vetëm te pushteti lokal por edhe te institucionet më të larta shtetërore. “Është më se e sigurt se i riu ka miliona arsye që të ndahet nga të afërmit e vet dhe të niset në kërkim të fatit të vet dhe ekzistencës ekonomike”, shton Cvetanovska. Ajo shkaqet i vendos në interesin jashtëzakonisht të dobët të garniturave qeveritare për gjetjen e zgjidhjeve për hapjen e vendeve të reja të punës në Ohër, për rihapjen  e fabrikave të cilat dikur kanë qenë një nga shtyllat e ekonomisë jo vetëm maqedonase por edhe jugosllave.

Cvetanovska thotë se Ohrit i duhet një sektor i shëndetshëm, i fuqishëm dhe i fortë qytetar dhe biznesi i cili si prioritet do të ketë nevojat e të rinjve dhe do të jetë përfaqësues i interesave rinore para pushtetit të komunës. “Gjithnjë dhe më tepër lihet përshtypja se prej marrjes së pavarësisë, kapaciteti i njeriut të ri në qytet vlerësohet shumë poshtë dhe prandaj pjesa më e madhe prej nesh orientohet kah ndonjë shteti të huaj ku fuqia jonë intelektuale nuk vlerësohet vetëm nëpër prizmin e kartës së partisë”; thotë Cvetanovska.

Ndërmarrjet publike komunale – punëdhënësit më të mëdhenj në Ohër

Fakt tjetër shqetësues është edhe e dhëna se punëdhënësit më të mëdhenj në Ohër janë ndërmarrjet publike dhe shoqërore. Se ky është një problem serioz për qytetin, e pranon edhe kryetari i komunës, Nikolla Baraçeski, i cili vërteton se papunësia në Ohër është më e madhja në Maqedoni.

Ohri - Oher, Liqeni i Ohrit Struge

“Ohri është qyteti me papunësinë më të madhe në Maqedoni sipas statistikës. Papunësia është rreth 10 përqind më e madhe se mesatarja në Maqedoni. Ajo që pata trashëgimi nga pushteti lokal i mëparshëm është mbipunësimi në ndërmarrjet publike dhe në administratën e komunës, e cila sipas vlerësimeve është 5 deri në 7 herë më e madhe se standardet për angazhim dhe vlerësim në administratën publike dhe në ndërmarrjet publike të cilat janë themeluar nga vetëqeverisja lokale”; thotë Bakraçeski.

Bakraçeski thekson se papunësia në Ohër arrin edhe deri në 40 përqind, kurse 22 përqind është më e vogël edhe PBV-ja për banor nga përqindja në shtet.

Ohri ngadalë po kalon në një qytet pensionistësh, thotë Zhaklina Llazarevska, profesorë në gjimnazin “Shën Klimenti i Ohrit” dhe këshilltare në Këshillin e Komunës Ohrit nga LSDM-ja. “Të rinjtë të cilët mbarojnë ndonjë fakultet, kryesisht në kryeqytet, nuk e shikojnë aspak perspektivën me kthim në Ohër. Nuk ka punë, nuk ka investime ekonomike të cilat premtojnë të ardhme në qytetin tonë. Dhjetë vjet të tëra pushteti qendror me në krye VMRO-DPMNE, nuk ka investuar aspak në zhvillimin e Ohrit. Premtimet e tyre të fundit nuk janë realizuar dhe nuk japin shpresë se për një të ardhme të afërt Ohri dhe banorët e tij duhet të presin ndonjë lëvizje më të madhe pozitive në zhvillimin ekonomik”, thotë Llazarevska dhe shton se të rinjtë besojnë vetëm në masa dhe aktivitete konkrete të cilat duhet të ndërmerren menjëherë.

Trendi i shpërnguljes do të ndikojë mbi strukturën demografike

Është sekret publik se pjesa më e madhe e banorëve të Ohrit të shpërngulur, jetojnë “në të zezë” jashtë shtetit, kurse ende nuk janë çregjistruar nga vendbanimet e tyre në Ohër. Profesori universitar nga Ohri dhe presidenti i degës së partisë politike PDSh, Vasfi Doko komenton se para dhjetë vjetësh Ohri kishte më tepër se 50.000-60.000 banorë.

Ai thotë se tani, sipas disa të dhënave jozyrtare, në qytet jetojnë mbi 35.000 banorë, kurse në vitet e fundit është fenomen shqetësues është se të rinjtë pa dallim të përkatësisë nacionale vendosin të migrojnë në shtetet evropiane perëndimore apo në vendet përtej oqeanit.

“Këtu do ta vendosja pjesën intelektuale të rinisë sonë, e cila për një perspektivë më të mirë jetësore vendos për këtë hap. Sigurisht mbi të vepron edhe gjendja politike dhe ekonomike, si dhe evenimentet të cilat krijojnë vazhdimisht klimë të dëshpërimit dhe pamundësi që të rinjtë ta tregojnë potencialin e vet profesional. Gjithsesi për ndalimin e këtij migrimi duhet të krijojë klimë të stabilitetit ekonomik dhe politik”; thotë Doko.

Sociologu dhe njohësi i mirë i politikave demografike, profesori Ilija Aceski është i bindur se trendi i shpërnguljes nga Ohri do të vazhdojë edhe mandej. Ai paralajmëron se Ohri mund të ballafaqohet me procesin e ndryshimit të strukturës së vet demografike në të ardhmen. “Shqetëson fakti se shpërngulen të rinj, ata të cilët sapo të hyjnë jetë menjëherë te ta shfaqet kthjellimi psikologjik se jeta e vërtetë nuk është këtu. Ohri jeton disa muaj nga turizmi, periudha tjetër është një farë lëngimi“, thekson Aceski.

Sipas tij, është dramatik fakti se po ndryshon struktura e popullatës së këtushme. “Në Ohër do të vijnë 10.000 shkupjanë gjatë vitit dhe kështu do të jetojë qyteti. Por banorët e vërtetë të cilët do të kërkojnë ndonjë perspektivë këtu do të ketë gjithnjë dhe më pak. Ndoshta për rreth njëzet vjet 50 përqind e njerëzve do të kenë mbi 60 vjet”, thotë sociologu.

Duke ikur nga papunësia, të rinjtë e vendosin edhe ‘kokën në thes’Aceski thotë se në një dimension më të gjerë Ohri nuk ka perspektivë ekonomike. “Në Ohër vijnë njerëz nga vende të ndryshme të botës dhe ndoshta kjo hapje në kuptimin psikologjik krijon perspektivë se jetë e mirë gjendet diku në vend tjetër. Të jetosh nga turizmi, do të thotë t’i shërbesh dikujt, kurse për banorët e Ohrit kjo nuk është e qenësishme”; thotë Aceski.

Dhe nga Këshilli Rinor në Ohër, i cili zbaton një sërë aktivitetesh për përfshirjen e të rinjve në proceset e përditshme shoqërore thonë se janë të shqetësuar për trendin e shpërnguljes nga qyteti.

“Shpërngulja është problem me të cilin ballafaqohen një numër i madh shtetesh të cilat janë një periudhë të gjatë në tranzicion. Kjo dukuri është evidente edhe në Republikën e Maqedonisë, në disa vitet e fundit. Gjithsesi edhe Komuna e Ohrit nuk është imune ndaj këtij trendi negativ i cili e vendos qytetin në vendin më të lartë sipas numrit të të rinjve të shpërngulur. Përpiqemi t’i edukojmë të rinjtë dhe t’i nxitim të mbeten në qytet dhe në shtet”, thotë Dimçe Kanevçe, presidenti i Këshillit Rinor Ohër.

Kanevçe thotë se punojnë në disa programe me të cilat i trajnojnë të rinjtë nga Ohri, Resnja dhe Struga. Organizohen vizita në institucione dhe organizata, organizohen ditë të dyerve të hapura, debate me grupe fokusi dhe tryeza të rrumbullakëta, me qëllim që të njihen me institucionet dhe të vendoset një komunikim më i mirë i të rinjve me institucionet. Ai konsideron se është e domosdoshme një qasje e organizuar dhe strategjike për tejkalimin e problemit me shpërnguljen.

*****

Artikulli është punuar në suazat e Projektit “Demografia – cilësia e jetës” e NVO Infoqendrës, Qendrës Maqedonase për Arsim Evropian, Tetë Shtatorit dhe Qendrës për Zhvillim të Mediave me mbështetje nga Projekti i USAID-it për shoqëri qytetare, të cilin e zbaton Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia.

 Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk i shpreh qëndrimet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button