fbpx

ANALIZË: Еurokambiali – para për ekonomi ose për partinë?

Еurokambiali është për nevojat politike të partisë në pushtet e jo për zhvillim ekonomik. Me këto 450 milionë euro partitë në pushtet siguruan para që të mund të vazhdojnë me politikat aktuale klienteliste, konsiderojnë një pjesë e ekonomistëve, pasi u realizua marrja e huasë së re nëpërmjet eurokambialit, shkruan analiza javore ekonimike e Portalb.mk. Qeveria mori hua 450 milionë euro me kamatë prej 5,6 për qind në kushte të krizës politike, me rebalanc të miratuar të buxhetit, sipas të cilit rritja ekonomike u zvogëlua prej 4% në 2,7%.

Shumë para, kamatë e lartë

As shuma që e mori hua qeveria nuk është e vogël, e as kamata që do të paguhet për këtë hua nuk është naive – komentojnë analistët. Sipas një pjese të tyre, vendimi për emetimin e eurokambialit në kulmin e krizës politike nuk ka arsyetim financiar në kushte të mungesës së analizës për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

“Еurokambiali ka prapavijë politike, nuk ka aspekt financiar, dhe është realizuar pa bërë analizë ekonomike të buxhetit. Sipas mendimit tim, kjo është bërë në bazë të nevojave politike të pushtetit, i cili kalkuloi deri në momentin e fundit. Në fakt, paratë nga eurokambiali do të shpenzohen me plan, do të dedikohen rreptësisht për zgjedhjet, të cilat si duket pushteti planifikon të mbahen në pranverë”, thotë për Portalb.mk analisti, Sllobodan Najdovski.

Një pjesë e ekonomistëve thonë se mbetet e hapur çështja se pse qeveria vendosi të marrë hua të jashtme me çmim më të lartë, kur në tregun vendor ka shumë para të cilat tani janë të lidhura me bonot e thesarit të Bankës Popullore.

“Sqarimi i parë është se frikohet nga padëgjueshmëria qytetare. Frikohet se qytetarët mund të fillojnë t’i tërheqin depozitet nga bankat, gjë që bankat do t’i linte pa mjete për financimin e qeverisë. Të mos harrojmë, në prill u tërhoqën rreth 100 milionë euro nga bankat. Kjo atëherë ndodhi në mënyrë shumë spontane, pa asnjë thirrje për padëgjueshmëri. Mund ta paramendoni se çka do të ndodhte nëse fillohet ndonjë fushatë masovike për padëgjueshmëri”, thotë për Portalb.mk ekonomisti Branimir Jovanoviq dhe shton:

“Sqarimi i dytë është se nëse qeveria hiqte dorë nga qëllimi i saj, do të linte përshtypje të qeverisë e cila i dëgjon qytetarët. Kjo do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përshtypjen që e ajo e le gjatë gjithë këtyre viteve – se është pushtet i fuqishëm, që nuk heq dorë nga qëllimet e saj, sado që ato të jenë të gabuara, sado që të jenë kundër vullnetit të qytetarëve. Ky pushtet forcën e tij e merr nga frika e qytetarëve, e kjo frikë bie kur pushteti i dëgjon qytetarët”.

Аnalistët konsiderojnë se huaja e re nuk është as e vogël për nga shuma, e as e lirë sipas kamatës.

“Çmimi i eurokambialit, gjegjësisht kamata prej 5,6 për qind aspak nuk është e ulët, dhe është e qartë se investuesit e kanë llogaritur rrezikun nga paqartësia e brendshme politike. Qeveria merr një hua të këtillë të madhe në kushte të krizës politike nga njëra anë dhe të parashikimeve për zvogëlimin e rritjes ekonomike nga ana tjetër. Mirëpo, qeveria duheshte të bëjë vlerësim dhe analizë të gjendjes reale ekonomike, gjegjësisht të shihet se a ka mundësi të shkurtohen shpenzimet joproduktive, të caktohet se cilat janë prioritetet”, thotë për Portalb.mk Najdovski.

Pas marrjes së huasë së fundit u prononcuan edhe një pjesë e partive politike. Lidhja Demokratike paralajmëroi se në bashkëpunim dhe në konsultim me ekspertët financiarë, do të propozojë zgjidhje ligjore me të cilat do të pamundësohet që qeveria të marrë hua pa pëlqimin e Kuvendit.

“Borxhi i fundit me emetimin e eurokambialit është bërë pa analizë paraprake dhe pa u konsultuar me ekspertët, si dhe pa informim elementar të Kuvendit dhe të publikut të gjerë”, thonë për Portalb.mk nga partia e Pavle Trajanovit.

Për çka do të harxhohen paratë

Ministria për Financa njoftoi se paratë nga eurokambiali do të shfrytëzohen për nevoja buxhetore për vitin 2016 dhe 2017, mirëpo edhe për kthimin e rreth 200 milionë eurove për shkak të pagesave të maturuara. Nga ministria përkatëse mbeten në qëndrimin se eurokambiali është emetuar në mënyrë ligjore dhe se është harmonizuar me Ministrinë për Drejtësi, përfaqësuesit juridikë të qeverisë dhe përfaqësuesit juridikë të konsorciumit të bankave nëpërmjet të të cilave u emetua eurokambiali.

Pas operacionit për marrjen e huasë, Kire Naumov, i cili ishte edhe nënshkrues i letrës që iu dërgua agjentëve të huaj që ishin të angazhuar për eurokambialin, thotë se borxhi publik është në nivelin më të lartë historik.

“Pas huasë më të re, borxhi publik është rritur për mbi 3 miliardë euro dhe prej dje ai është në nivel të ri historik prej pothuajse 5 miliardë eurosh. Ose mbi 50 për qind e PBB-së.  Me huanë e re prej 450 milionë eurosh me kamata në kurrizin e qytetarëve u ngarkua një borxh i ri prej 627 milionë eurosh. Në kushte kur rritja ekonomike është vetëm 2%, me përqindje të kamatave të huave që në vazhdimësi janë pesë e më shumë përqind, me paratë që planifikojnë t’i harxhojnë për qëllim joproduktive dhe kriminale, ky pushtet e fut shtetin dhe qytetarët në një robëri të huave”, thotë për Portalb.mk Naumovi nga LSDM-ja, ish-zëvendës-ministër plotësues për financa.

Së bashku me këtë hua të fundit nëpërmjet letrave shtetërore me vlerë të shitura jashtë vendit, Maqedonia deri tani në tregun ndërkombëtar ka marrë hua për të pestën herë. Herën e parë kjo u bë në periudhën kur në pushtet ishte LSDM-ja, ndërsa ministër për financa Nikolla Popovski. Atëherë shteti mori hua prej 150 milionë eurosh me afat të maturimit në vitin 2015 dhe me kamatë prej 4,6 për qind. Pastaj pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, duke e përfshirë edhe eurokambialin e ri, në tregun ndërkombëtar mori hua katër herë. Vlera e përgjithshme e huave vetëm si rezultat i eurokambialeve të realizuara nga pushteti aktual është pothuajse 1,4 miliardë euro.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2007 niveli i borxhit publik është rritur për 2,7 miliardë euro, ndërsa borxhi i jashtëm bruto është rritur për 3,7 miliardë euro. /Portalb.mk

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close