Hapet ekspozita e grafistes Lulzime Osmani, “Imagjinata e strukur”

“Imagjinata e strukur” emërohej ekspozita e grafistes Lulzime Osmani nga Kërçova e cila u shpallë e hapur mbrëmë në Galerinë e Arteve në Tetovë. Kjo është ekspozita e parë personale e grafistes në fjalë dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorët për disa ditë me radhë.

Në lidhje me punimet e saj, artistja e grafikës, Lulzime Osmani thotë: “Punimet e mia, ndoshta, nga syri i soditësit mund të duken jo aq realiste por ata kanë realitetin e vet në shpirtin e autorit dhe soditësi gjithsesi këtë realitet e sheh duke depërtuar në thellësinë metahistorike dhe gjeografike të personit artist. Çdo vijë e shprehur në to dëshiron të përfaqësojë një dashuri apo mllef ndaj asaj që duket. Qasja ime paraqitja e portreteve është me nga një person të prezantuar në hapësirë të pafund. Secili prej portreteve ka tone të ndryshme në fytyrë, që njëkohësisht e shprehin dimensionin imagjinues të prezantimit të brendisë së personit të portretizuar. Secili prej portreteve ndoshta nuk e ka adekuaten në botën reale, por e ka në botën”.

Se pse ka zgjedhur ta emërojë kështu ekspozitën e saj dhe pse zgjodhi një qasje të këtillë për paraqitjen e portreteve në grafikat e saj, ajo thotë: “Portreti i strukur është jo vetëm pamje e dukjes fizike të personit që në portretet e paraqitura është i papërcaktuar dhe i përgjithshëm, por është pamje e identitetit, ku në bashkësi janë të prezantuara, karakteri, etika, morali, sjellja, dhe fizionomia. Deformimet drastike në fizionomi tregojnë qartë sa njeriu, në veçanti kohëve të fundit e ka humbur të njerëzishmen në vendin që zë në gjithësi”.

Lulzime Osmani përfundoi studimet katër vjeçare në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Fakultetin e Arteve, Dega e Grafikës kurse studimet e ciklit të dytë, master, në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht vazhdon studimet e doktoraturës në Sofje.  Ajo ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita të tjera kolektive në Maqedoni dhe jashtë vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button