(VIDEO) Para zyrës së Abdilaqim Ademit mbahet protesta kundër ndotjes

Iniciativa “Së bashku kundër ndotjes në Tetovë” mbajti protestë në Shkup para Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, me kërkesë që të mos lejojë prolongimin e vendosjes në funksion të filtrave në kapacitetet industriale në rajonin e Tetovës.


Protestuesit kanë shprehur shqetësimin e tyre, për nivelet e larta të ndotjes së ajrit, që vijnë si pasojë e lëshimit të gazrave të pakontrolluara nga oxhaqet e fabrikave dhe mungesë së një qasje më serioze ndaj këtij problemi.


Bekim Asani, nga ‘Iniciativa qytetare ‘Kundër ndotjes në Tetovë’, duke iu referuar parametrave të fundit, tha se s ajri që thithin tetovarët është i ndotur deri 20 herë mbi nivelin e lejuar.

 “I drejtohemi Ministrisë së ambientit jetësor dhe planifikimit hapsinor, që ti thotë STOP prolongimit të mundshëm e vendosjes së tyre në kapacitetet industriale në rajonin e Pollogut”, tha në fjalimin e tij, Bekim Asani, nga ‘Iniciativa qytetare ‘Kundër ndotjes në Tetovë’.
Sipas tij, ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem tejet serioz në rajonin e Tetovës. 

“Të dhënat nga aparatet matëse të kualitetit të ajrit, me datë 18 mars, tregojnë se sasia e lejuar e granulave të dëmshme në ajër PM 10, është tejkaluar dhe ka arritur 183 metër katror”, thotë Bekim Asani.  
“Kërkojmë zgjedhje permanente të këtij problem, jo prolongim. Qytetarët duan ajër të pastër. Tetova meriton ajër të pastër’, tha ai.

Të kontaktuar nga Portalb, Ministria e Mjedisit thotë se qëndrimi i tyre nuk ndryshon ndërsa arsyetohen se ata nuk vendosin, por Qeveria.

“Nuk varet nga ne se a do tu lejohet disa fabrikave ta prolongojnë afatin e vendosjes së filtrave. Vendimi merret nga Qeveria, ne vetëm mund të dërgojmë mendim për ndonjë kërkesë eventuale për prolongimin e afatit për vendosjen e filtrave. Deri më tani vetëm fabrika ‘Makstil’ ka dorëzuar kërkesë të tillë. Për Jugohromin nuk e di, nëse kjo fabrikë vendos të kërkojë afat shtesë për vendosjen e filtrave, Qeveria do të tregojë nëse mundet ose jo.” tha për Portalb, zëdhënësi i Ministrisë së ambientit, Sasho Sekullovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button