Forcat ruse marrin marinën ukrainase në Krime

Forcat pro-ruse kanë depërtuar me dhunë në selinë e Marinës së Ukrainës në qytetin Sevastopol dhe kanë ngritur flamurin e Rusisë.

Agjencitë ruse të lajmeve raportojnë se, disa qindra demonstrues pro-rusë u tubuan afër kësaj baze, e pastaj me forcë depërtuan në kompleks, ku hoqën flamurin e Ukrainës dhe e zëvendësuan me atë të Rusisë. Raportohet se protestuesit kanë kërkuar që marinarët ukrainas të largohen nga baza.

Agjencia perëndimore e lajmeve “Associated Press” tha se, selia e marinës ishte sulmuar nga forcat e “vetëmbrojtjes” së Krimesë. Nuk ka pasur raporte për dhunë. Një zëdhënës i marinës ukrainase tha se njerëzit që depërtuan në bazë nuk ishin të armatosur.

Ndërkohë, pas raporteve për depërtim të forcave në selinë e Marinës së Ukrainës, në Krime janë dërguar zyrtarë të lartë ukrainas. Ministri i përkohshëm i Mbrojtjes, Ihor Tenyukh, dhe zëvendëskryeministri i parë, Vitaly Yaremaa, udhëtuan për në rajon në përpjekje për të “zgjidhur situatën”.

Ndërsa qeveria e Ukrainës, po përpilon disa plane operative për tërheqjen e trupave ushtarake dhe disa civilë nga Krimea. Kjo gjë është bërë e ditur nga sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Andri Parubi, gjatë një konference për shtyp. Ai u shpreh se, janë duke hartuar disa masa në mënyrë që ushtarët dhe familjet e tyre që ndodhen në Krime, të kenë mundësi të kthehen në Ukrainën kontinentale. Nga ana e sajë, Moska kërcënon se do të ndryshojë qëndrim për Iranin. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, u shpreh se Rusia mund të rishohë pozicionin e saj në negociatat e Programit bërthamori me Iranin, për shkak të tensioneve me Perëndimin, për çështjen e Krimesë.

Lajme të ngjashme

Back to top button