Hulumtim: Puno, udhëto dhe qëndro në ShBA

Mbi dhjetëra mijë studentë këtë vit i bënë valixhet të përgatitur që të shkojnë nëpërmjet programeve për shkëmbim dhe programit të njohur për punë dhe udhëtim (Work and Travel). Nuk kanë për t’u kthyer 10-12 përqind e këtyre studentëve, kurse në këto vende mbeten kryesisht si ilegalë, duke hequr dorë me vetëdije nga mundësia që të marrin diplomë, por edhe të jenë larg familjeve të veta me vite të tëra. Ky migrim i ri mbetet i pa shënuar nga fakultetet, por edhe nga institucionet e tjera shtetërore, të cilat nuk kanë asnjë të dhënë për largimin e studentëve, njofton Portalb.mk.

Vesna Kollovska

Tri shtëpi të mëdha familjare, njëra pranë tjetrës, në rrugën kryesore të një prej lagjeve më të reja në Shtip, janë vende ku kanë mbetur të jetojnë vetëm çifte bashkëshortore në moshë të mesme. Çdo ditë, njëri me tjetrin kanë të njëjtën pyetje – a u patë me fëmijët në Skajp? Të tri familjet i kanë fëmijët në Amerikë.

Djali dhe vajza e Valentina dhe Petar Arsovit janë në rrethinën e Çikagos. Para më tepër se pesë vjetësh së pari ka shkuar vajza, e cila pasi u regjistrua në studimet pasuniversitare, shkoi të punojë nëpërmjet programit Work and Travel. Pas përfundimit të katër muajve – periudha për të cilën ka pasur vizë, ka vendosur të mbetet si ilegale. Më tepër se pesë vjet Arsovi nuk e kanë parë bijën e vet. Pothuajse çdo ditë shihen në Skajp. Gjithashtu edhe të birin, i cili dy vjet është me të motrën. Ai ka shkuar në të njëjtën mënyrë. Pas dy udhëtimeve vajtje dhe ardhje, vjet ka vendosur të mbetet aty. Ajo punon në administratën e një kompanie transporti të në maqedonasi në ShBA, kurse djali është shofer kamioni. Kolegu i tij është fqinji me të cilin në Shtip e ndan vetëm një gardh. Edhe ai ka shkuar nëpërmjet programit Work and Travel, pasi ka përfunduar vitin e dytë në fakultet. Para pak kohësh u është bashkëngjitur edhe fqinji i tretë, por ai ka shkuar pasi ka marrë kartën e gjelbër nëpërmjet lotarisë. Tani të gjithë jetojnë në të njëjtin apartament, në të mirë dhe në të keqe, njofton Portalb.mk.

“Dita më e keqe në jetën time ishte dita kur biri im më tha se nuk do të kthehet dhe do të mbetet në Amerikë. Do të plasja, sepse e dija se nuk do ta shihnim me vite. Por, nga ana tjetër pyesja veten se çfarë do të punojë këtu? Më çarmatosi kur më tha – mos më detyro të kthehem dhe të punoj për 200 euro në muaj”, tregon Valentina.

Work and Travel3Këta të rinj shtipjanë mbetën në ShBA pa status të rregulluar. Nëse gjenden nga pushteti emigrant, rrezikojnë të depërtohen menjëherë në shtëpi, pa dallim se çfarë kanë apo si u gjendën në Amerikë. Kanë numër social, të cilin e marrin nga viza dhe me këtë deri diku kanë mundësi të punojnë dhe qëndrojnë me status gjysmë ilegal. Por, nuk mund të gjejnë kudo punë dhe banesë, sepse ka kompani si dhe dhënës të banesave me qira të cilët nuk duan të rrezikojnë. Nga grupi prej katër vajzash të cilat kanë vajtur në ShBA para pesë vjetësh, sipas familjes Arsovi është kthyer, vetëm një vajzë. Përveç vajzës së tyre, e cila ka mbetur të punojë në piceri së bashku me shoqen e vet, dy motra binjake, më vonë arritën ta legalizojnë qëndrimin e vet nëpërmjet martesave të rreme. U kanë paguar shtetasve amerikanë të martohen me to që të sigurojnë dokumentet e qëndrimit, kurse mandej edhe vizat e rregullta.

Regjistrohen në fakultet që të migrojnë

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në Maqedoni në vit studiojnë mbi 55.000 mijë studentë në fakultetet shtetërore dhe private. Pothuajse një e treta e tyre sipas agjencive të cilat ndërmjetësojnë, shkojnë gjatë verës me punë në ndonjë shtet të huaj. Kryesisht, gjejnë punë në hotelieri dhe në turizëm, punojnë në anije, nëpër hotele, në restorante për ushqim të shpejtë. Gjermania është vend tradicional për punë gjatë verës për studentët. Prej dy vjetësh atraktive është edhe Qiproja, ku sipas asaj që tregojnë studentët, njëherë shkohet nëpërmjet agjencisë, kurse mandej gjenden vetë nëpërmjet kontakteve me pronarët ku kanë punuar tashmë. Në Qipro ka koloni solide të të rinjve maqedonas, të cilët ndërkohë kanë arritur të nxjerrin pasaportë bullgare dhe të mbeten të punojnë gjatë gjithë vitit, por kjo tashmë është mënyrë për t’u gjendur.

Këto ditë po shkojnë disa mijëra studentë në ShBA dhe më pak në Kanada me ndërmjetësim të dhjetë agjencive më të mëdha të cilat punojnë në programin për shkëmbim kulturor Work and Travel. Ky është një nga programet e tilla më të njohura dhe çdo vit në ShBA shkojnë rreth 100.000 të rinj nga e gjithë bota. Kanë mundësi të punojnë tre muaj dhe një muaj të mbeten dhe të shëtisin në ShBA. Kusht është që të jenë studentë të rregullt, të mos jenë në moshë mbi 28 vjet dhe ta njohin gjuhën angleze. Shans më të vogël apo aspak për të marrë vizë kanë absolventët, sepse janë në fund të studimeve, kurse me këtë shanset që të mos kthehen janë shumë më të mëdha, thonë nga agjencitë për ndërmjetësim. Vetëm nëpërmjet agjencisë Kouzon në vit shkojnë 800 deri në 1000 studentë.

Vetëm një pjesë e vogël mbeten në studime kështu që vijon transformimi i vizave. Në ShBA regjistrimet në fakultet janë katër herë në vit. Mbeten edhe me status të parregulluar. Kanë numër social i cili është bazë që të mund të punojnë, por nuk është e lehtë të gjenden. Në lidhje me faktin se në cilin vit të studimeve vendosin të qëndrojnë, nuk ka rregulla, thotë Zoran Koçovski nga agjencia Kouzon, njofton Portalb.mk.

Agjencitë e dinë me saktësi sa studentë mbeten dhe sa kthehen. Prej atyre të cilët Kouzon ka ndërmjetësuar vjet, kanë mbetur shtatë përqind. Ka pasur vit kur kanë mbetur edhe 12 përqind. Agjencitë kanë obligim ndaj Ambasadës së ShBA-së në Maqedoni të dërgojnë raporte pas kalimit të periudhës prej 25 ditësh nga përfundimi i programit. Ndjekin kontakte të agjencive me çdo student. Ndonjëherë ato janë kontakte me telefon, kurse ndonjëherë me ata që kanë mbetur ndihmon edhe Fejsbuku. Megjithatë, në fund, nga anketat, dihet numri i saktë i atyre të cilët kanë mbetur. Këtë numër, si dhe të gjitha të dhënat rreth tij, i ka ambasada, por jo edhe institucionet tona. Në MPB shënohet largimi, por pothuajse askush nuk e paraqet mungesën më të gjatë.

Në vitin 2014 dhe 2015 në ShBA kanë studiuar 974.926 studentë. Prej tyre vetëm 237 janë shtetas maqedonas ose 0,004 përqind. Ky numër i vogël i studentëve maqedonas flet për faktin se pjesa më e madhe e të rinjve të cilët shkojnë në kontinentin amerikan nuk studiojnë, por punojnë.

Work and Travel2Në Ambasadën e ShBA-së, ku jepen vizat për qëndrim janë të vetëdijshëm për migrimin nga Maqedonia dhe nga rajoni. Në intervistë për Kanalin 77, këshilltari për marrëdhënie me publikun, Valeri Kolbi tha se në të gjitha aktivitetet e tyre, kërkojnë prej pjesëmarrësve të kthehen përsëri në Maqedoni.

– Për ne është më e rëndësishmja benefiti personal i çdo individi që e merr nga qëndrimi në ShBA dhe benefiti për Maqedoninë me kthimin e tij. Për ne është shumë e rëndësishme pjesëmarrësit të kthehen në Maqedoni dhe të kontribuojnë me përvojën që e kanë fituar. Jo vetëm në programet për shkëmbim por edhe në të gjitha programet e tjera njerëzit e shfrytëzojnë mundësinë të qëndrojnë më gjatë se koha e lejuar ligjore dhe shfaqen probleme të caktuara me zgjedhjet të cilat i bëjnë, thotë Kolbi.

Forumet – vendi për këshilla dhe shkëmbim të përvojave

Në broshurat informuese të agjencive për ndërmjetësim qëndron se studentët me këtë program fitojnë të drejtën e personave të punësuar përkohësisht, por të mos presin që në ShBA të vlejnë të njëjtat rregulla si edhe në Maqedoni. Punohet në të gjitha turnet, kurse diku punohet vetëm turni i natës, me minimum 32 dhe maksimum 40 orë në javë. Minimumi që mund të fitojnë është 3.80 dollarë në orë plus bakshish, kurse maksimumi i asaj që mund të fitojnë lëviz deri në 12 dollarë në orë. Pjesa e punës zgjat 3-4 muaj, kurse mandej mbetet periudha për udhëtim nëpër Amerikë, sipas terminëve të përcaktuar në program.

Kjo është pjesa zyrtare. Pjesa jozyrtare, plot me përvoja, gjendet në forumet e specializuara në internet. Në një prej tyre, ai në Kajgana, shkëmbehen përvoja, midis tyre dhe ata të cilët kanë vendosur të mbeten.

“Ata që mbeten ngasin maune për 1500 dollarë në muaj. Rrogë e përkryer. Për çfarë beneficionesh flet? Nëse duron 5 vjet pa bërë incident do të marrësh statusin e emigrantit”, thotë një  pjesëmarrës në forum.

Të tjerë shkëmbejnë përvojë për angazhimin e punës dhe pagimin si ilegal:

“Varet se çfarë dëshiron nga Amerika. A do para apo argëtim. Para nuk fitohen shumë, por nuk është keq. Nëse ke fat do të arrish edhe deri në 8 000 bruto. Nuk është shumë gjithsesi. 50-60 orë në javë. Është e vështirë për punë të dytë, sepse punon të themi nga ora 10 në mëngjes deri në 8 në mbrëmje. Mund të punosh turn të tretë, por do të plasësh. Argëtime çdo mbrëmje, sa mund të mbash. Gjëra pozitive: Do të jetosh ose në qytet më të madh ose afër qyteteve më të mëdha, ndoshta do të marrësh makinë, do të kesh banesë të cilën ta gjen kompania dhe do të jetosh me 4-5 shokë dhome ose shoqe dhome të forta. Për punë, është e lehtë. Fle gjithë ditën, nëse je më në veri koha është e keqe, kurse kur është e keqe rri vetëm në punë në net ose lexon punë, kurse kjo është me pagesë. Do të duhet ta pastrosh pishinën, të kujdesesh për klorin dhe vlerën e pH-së të ujit gjithë kohën, dhe ke pushim prej 15 minutash në çdo orë. Ta dish se ka stërvitje për licencën, CPR, pathogens and lifegarding. Duhet të jesh i përgatitur fizikisht dhe ta flasësh mirë anglishten”, këshillon një pjesëmarrës në forum, njofton Portalb.mk.

Në lidhje me pyetjen se si gjenden si ilegalë ka dhe shembuj të tillë:

“Unë njoh një që ka punuar 6 vjet në të zezë, punonte në Çikago dhe fitoi para të mira (kushëri e kam). Mori grua një ruse dhe u kthye në Maqedoni. Njoh edhe një tjetër që është edhe më gjatë aty.

Po të mbetesh ilegal aty ke shumë pak opsione.

  1. Do të përpiqesh në çfarëdo lloj mënyre ta rregullosh statusin, vizë pune, studentore, çfarëdo mënyrë, madje edhe të martohesh.
  2. Do të punosh derisa të mbledhësh para të mjaftueshme për një jetesë modeste në MK (edhe kjo është relative, për dikë modeste është $20.000, kurse për dikë $50.000) dhe do të kthehesh në MK duke i thënë baj baj baj Amerikës.
  3. Do të mbetesh pa gjë nëse nuk gjendesh. Por ky opsioni i tretë u ndodh rrallë maqedonasve.” (burim: forum Kajgana)

Work and Travel Cover11Numri i të ikurve – pikë e zezë

Universitetet nuk disponojnë numra sa studentë kanë mbetur në ndonjë prej shteteve të huaja, sepse siç na u përgjigjën ato nuk janë programet e tyre. Në të gjitha universitetet shtetërore ka rrallim të studentëve, por nuk kanë të dhëna a ka ndodhur kjo për shkak të martesës, mëmësisë, migrimit apo për ndonjë shkak tjetër.

Të ilustruara janë numrat e përgjithshëm të studentëve në Maqedoni. Nëse në vitin shkollor  2011/2012 në të gjitha fakultetet janë regjistruar 15.404  studentë, katër vjet më vonë, në vitin shkollor 2014/2015 kishte vetëm 4.566 absolventë (sipas Entit Shtetëror të Statistikës). Ose nëse në vitin shkollor 2013/2014 janë regjistruar 17.296 studentë, tashmë vitin e ardhshëm shkollor në vitin e dytë kanë studiuar 11.974 studentë që dëshmon se mungojnë përafërsisht 6.000 studentë nga universitet. Supozimi është se disa kanë mbetur, disa janë riregjistruar, por ndoshta disa edhe kanë ikur nga shteti. Sa është numri saktësisht nuk dihet, njofton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme ka të dhënë se në vitin 2015 kanë emigruar 78.000 persona, por në cilën bazë kanë migruar dhe cilës strukturë të njerëzve i takojnë, nuk ka informim për publikun.

Në mungesë të të dhënave më të sakta, migrimi i studentëve mbetet pezull te të folurat e të afërmve të tyre dhe shembujt e bashkëmoshatarëve.

Duket sikur të vetmit të interesuar për migrimin e studentëve janë organizatat joqeveritare. Në Ministrinë e Arsimit, njëjtë si edhe në universitetet, nuk kanë të dhëna për migrimin e të rinjve. Në MASh kanë numra të vendeve të lira dhe të plotësuara, numrin e studentëve sipas viteve të studimit, por jo dhe të migrimit të të rinjve. Në faqen e internetit të ministrisë tashmë nuk mund ta gjesh strategjinë për tërheqjen e kuadrove me arsim të lartë, e cila gjatë kohës së ministrit paralajmërohej si bazë për një program serioz për kthimin e “mendjeve”.

Sipas Këshillit Nacional për të Rinj, migrimi i të rinjve në botë lëviz rreth 10 përqind, kurse në Maqedoni në vitin 2012 kanë migruar 16 përqind e të rinjve. Përveç trendit të përgjithshëm të globalizimit, hulumtimi i para pak kohe i Institutit “Progres” ka dëshmuar se një prej shkaqeve për largimin e të rinjve nga Maqedonia është vlerësimi i pamjaftueshëm.

– Nuk ndihen të vlerësuar në shoqëri, përkatësisht, nuk ndiejnë se zëri i tyre dhe nevojat e tyre dëgjohen. Që do të thotë se një i ri i cili ka qenë student i suksesshëm, kur përfundon arsimimin e vet, ndien se shkathtësitë, aftësitë, mundësitë e tij nuk vlerësohen sa duhet, por duhet të ketë edhe diçka shtesë, që ta etablojë në shoqëri. Në kushtet e sotme, për fat të keq, ky është anëtarësimi në parti dhe të rinjtë gjithnjë dhe më shumë thonë se nuk janë të përgatitur të bëjnë kompromis me njohuritë, shkathtësitë, cilësitë e tyre me këtë kërkesë shtesë që u bëhet, thotë Kalinka Gaber nga “Progres”.

Një përgjigje shtesë pse largohen të rinjtë është edhe përqindja prej 54 përqind të të rinjve të papunësuar. Megjithatë, sipas përvojës të një prej maqedonasve të parë që ka shkuar në Amerikë nëpërmjet programit Work and Travel, tetovari, Zharko Sinadinovski, shkaku për mbetjen e studentëve nuk është kryesisht paratë, por jeta cilësore. Sinadinovski tani prej 15 vjetësh është në ShBA, afër Nju-Jorkut ka biznesin e vet, por nuk ka mbetur sepse ka dashur, por se ka qenë i detyruar. Në momentin kur duhej të kthehej nga programi katër mujor ka ndodhur konflikti i vitit 2001, prandaj e ka zgjatur qëndrimin, njofton Portalb.mk.

– Lëviz nëpër vende ku mblidhen maqedonasit dhe e njoh përafërsisht mirë gjendjen. Gjeneratat e reja të cilat vijnë njohin një botë të re, kulturë të re dhe cilësi jetese. Baza për të mbetur këtu për këto gjenerata të reja nuk janë më paratë, por qëndrojnë për shkak të cilësisë më të mirë të jetës, thotë Sinadinovski.

Programi Work and Travel
Programi Work and Travel

Fondacioni “Fridrih Ebert” në hulumtimin për trendet e reja thekson se kërcënim për rajonin e Evropës Juglindore është humbja në rritje e kapitalit njerëzor. Sipas këtij hulumtimi, të rinjtë, kanë thënë se duan perspektiva dhe standard jete më të mirë, që nuk e kanë në shtetet e veta.

Ku do t’i çojë ajo “perspektivë e mirë” të rinjtë e tregimit tonë? Arsovi nga Shtipi shpresojnë t’u kthehet vajza. Para një muaji virtualisht u njohën me dhëndrin e ardhshëm, shkupjan, i cili nëpërmjet Skajpit e kërkoi dorën e vajzës së tyre. Me krushqit janë takuar, pasi kanë shkëmbyer vizitat me uiski në dorë – amerikan, kuptohet. Dhëndri dëshiron të kthehet dhe të jetojë në Shkup, por jo edhe vajza. Ajo edhe mandej do të donte të qëndronte në ShBA, pa dallim se të dy janë “ilegalë” në një shtet i cili u dha një jetë të re. Si edhe mijërave shtetasve të rinj maqedonas, të cilët i kanë filluar tashmë karrierat e veta në Amerikë, njofton Portalb.mk.

*****

Artikulli është punuar në suazat e Projektit “Demografia – cilësia e jetës” e NVO Infoqendrës, Qendrës Maqedonase për Arsim Evropian, Tetë Shtatorit dhe Qendrës për Zhvillim të Mediave me mbështetje nga Projekti i USAID-it për shoqëri qytetare, të cilin e zbaton Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia.

 Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk i shpreh qëndrimet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button