Femrat pëlqejnë meshkujt që kërcejnë

Meshkujt që kërkojnë të tërheqin një femër në një klub nate apo në mjedise të tjera kërcimi, duhet të përqendrohen veçanërisht te tundja e kokës dhe lëvizja e gjurit të djathtë.

Kërkuesit përdorën kamera tredimensionale teksa filmonin meshkuj që kërcenin dhe më pas i kërkuan femrave të kategorizonin sesa tërheqëse ishte për to çdo kërcim duke i vlerësuar me pikë nga 1-10.

Ata zbuluan një seri lëvizjesh të veçanta, përfshirë këtu lëvizjen e qafës, gjoksit, duart, shpatullës së majtë dhe gjurit të djathtë, ky i fundit mendohet se zbulon informacione të fshehta rreth pjellorisë së një mashkulli.

Hulumtuesit filmuan 19 burra nga mosha 18-35 duke përdorur një kamera 3d teksa ata kërcenin një këngë të caktuar. Studimi zbuloi se pesë lëvizje ishin vendimtare në përcaktimin e një kërcimtari të mirë apo të keq.

Sipas perceptimit të pjesëmarrësve femra në kërkim, kërcimtarët e mirë bënin lëvizje të bukura dhe të ndryshme me qafën dhe pjesën ballore të trupit (gjoksin dhe barkun).

Po ashtu, lëvizjet e ndryshme me dorën dhe shpatullën e majtë, ashtu si edhe lëvizjet e shpejta me gjurin e djathtë, mendohen si shenja të një kërcimtari të mirë.

Të tilla lëvizje në kërcim mund të formojnë sinjale të një mashkulli produktiv si në aspektin shëndetësor apo ashtu edhe në fuqinë trupore. Kjo duhet të jetë arsyeja përse femrat i shohin këto lëvizje si tërheqëse.

Në fundin tjetër të shkallës nga 1-10 ishin meshkujt që i lëviznin krahët shumë, të cilët nuk morën mjaft pikë ashtu si meshkujt që i lëviznin pak krahët dhe këmbët duke i mbajtur ato sa më afër trupit. Kërkimi u bë nga dr. Nik Niv (Nick Neave) dhe Kristofor Mekarti (McCarty) nga universiteti Northumbria.

Nëntëmbëdhjetë burrat që morën pjesë në studim kërcyen në një sfond të zezë dhe secili prej tyre u kthye me ndihmën e kompjuterit në një avatar. Më pas studiuesit iu kërkuan 35 femrave heteroseksuale të shkallëzonin lëvizjet e secilit pjesëmarrës mashkull në një shkallë nga 1 te 10.

Dr. Niv u shpreh se ai i ktheu kërcimtarët në avatarë, në mënyrë që femrat të mos ndikoheshin nga tiparet fizike të secilit vullnetar.

Në fund të studimit u arrit në përfundim se pesë lëvizje kishin rëndësi kyçe në përcaktimin e një kërcimtari të mirë apo të keq. Sipas femrave që morën pjesë në studim, kërcimtarët e mirë i lëviznin gjymtyrët më larg trupit dhe kishin lëvizje të ndryshme të qafës dhe bustit.

Mbi të gjitha, lëvizjet e dorës dhe shpatullës së majtë ishin shumë thelbësore. Meshkujt që lëviznin shpejt dhe bukur gjurin e djathtë, perceptoheshin si kërcimtarë joshës.

Shumë prej kërcimtarëve më të njohur në botë, përfshirë këtu edhe Majkëll Xhekson, janë të famshëm për përdorimin e këtyre lëvizjeve, veçanërisht lëvizja e Xheksonit me rrotullimin e gjurit.

Ky është studimi i parë objektiv që tregon se çfarë e dallon një kërcimtar të mirë nga dikush që kërcen keq. Dobia e këtij hulumtimi sa informues, aq edhe argëtues është e madhe, pasi më në fund meshkujt nga e gjithë bota kanë të qartë se cilat lëvizje duhet të bëjnë në pistën e kërcimit. Tani është e qartë se çfarë zonash vërejnë femrat kur gjykojnë një kërcimtar të mirë dhe sesa tërheqëse është secila lëvizje për to. Me mësimin e pesë lëvizjeve kyçe, secili mashkull mund ta përmirësojë aftësinë e tij në kërcim.

Nëse edhe ju kërkoni të bëheni një kërcimtar i zoti, mos harroni: gjeni të mesmen e artë mes lëvizjes fare pak dhe shumë të krahëve dhe këmbëve. Hapini duart dhe këmbët aq sa të dallohet se jeni përkushtuar ndaj kërcimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button