Shaqiri – Bayern, ndarja trokiti

Dy vite më parë u transferua nga Basel tek Bayern Munich për t’u bërë shqiptari i parë që bartë fanellën e gjigantit gjerman, mirëpo duket se po i vije fundi aventurës së tij tek bavarezët. Ylli kosovar, Xherdan Shaqiri, pritet që gjatë afatit kalimtar të verës t’i thotë lamtumirë skuadrës kampione të Evropës për t’i shqyrtuar ofertat e tjera që vijnë në drejtim të tij.

Ndër arsyet kryesore që kanë bërë Xherdanin të mendojë largimin, janë minutat e paktë që 22-vjeçarit po i jepen nga trajneri Pep Guardiola, dhe konkurrenca e madhe në të cilën po përballet ai me emra të mëdhenj si Arjen Robben, Franck Ribery, Toni Kroos apo Mario Gotze. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane ‘Blick’, vëllai i Xherdanit, Erdini ka deklaruar se ‘xhuxhi’, ka nevojë për të luajtur sa më shumë dhe nëse vijnë ofertat nga skuadrat e mëdha në verë do t’i shqyrtojnë ato.

“Xherdani është 22-vjeçar. Në këtë moshë ai duhet të luajë rregullisht dhe kjo nuk është duke ndodhur. Tani e presim verën. Kur klube si Liverpool, Manchester United apo Inter dhe të tjera shfaqin interesim, atëherë ne patjetër se do t’i shqyrtojmë ofertat”, u shpreh fillimisht Erdini.

Tutje, menaxheri i shumë futbollistëve shqiptarë, ka bërë të ditur se qëllimi kryesor i tij dhe vëllait është qëndrimi në Bayern./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button