fbpx

Politikanët e Maqedonisë të padëshiruar në diasporë

Mërgimtarët shqiptarë shprehen të zhgënjyer nga qasja e partive politike shqiptare rreth votimit të diasporës. Burime për Portalb, bëjnë të ditur se mënyra imponuse dhe jo demokratike e përcaktimit të kandidatëve për deputet të diasporës, ka revoltuar mërgimtarët shqiptarë veçanërisht në SHBA.

“Shqiptarët këtë radhë janë larg entuziazmit që treguan në zgjedhjet për Kërçovën dhe Strugën”, shprehet për Portalb, mërgimtare nga SHBA-ja që dëshiron të mbetet anonime.

“Është e papranueshme që partitë politike shqiptare pazarllëqet politike që kanë atje i reflektojnë edhe tek ne. Partitë politike shqiptare duhet të flasin njëzëri në diasporë dhe jo përçarjet e tyre t’i sjellin këtu”, theksoi një tjetër mërgimtar nga SHBA që gjithashtu nuk deshi të pronocohet publikusht, duke theksuar se kjo qasje e tyre mund të çojë edhe në përçarjen e votave, pasi çdo parti garon me kandidatin e tij. 

Mërgimtarët shqiptarë duke folur për Portlab shprehen indinjatën ndaj partive shqiptare edhe për faktin se partitë politike kujtohen për diasporën vetëm kur kanë interesa, pavarësisht kontributit të madh që jaep diaspora për promovimin e çështjes shqiptare, por edhe për buxhetin dhe zhvillimin e vendit. 

Nga ana tjetër, shumica e mërgimtarëve siç denoncojnë për Portalb, nuk janë të njohur me procedurat e regjistrimit dhe të votimit. “Nuk na ka kontaktuar askush që të na njoh me këto procedura”, theksoi një mërgimtar.

Megjithë revoltën dhe pakënaqësitë, mërgimtarët shprehen të ndërgjegjshëm për rëndësinë e të pasurit të përfaqësuesit të tyre në parlamentin e Maqedonisë, dhe thonë se do të përmbushin të drejtën e tyre të votës.

Nga ana tjetër edhe faktorë të ndryshëm shoqëror në Maqedoni, vazhdojnë apelet për mobilizim sa më të madh të shqiptarëve me qëllim që shqiptarët të shpërblehen me përfaqësuesit zyrtar në parlament. 

“Falë kësaj mërgate kemi Shqipërinë në NATO, Pavarësinë e Kosovës dhe avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Në shohim se mobilizimi i diasporës shqiptare ka shqetësuar tej mase institucionet shtetërore, dhe në pamundësi për t’u ballafaquar me fluksin e shqiptarëve ata përdorin edhe disa shqipfolës për të proklamuar bojkotin e këtyre zgjedhjeve vetëm e vetëm për të arritur qëllimin që të mos kemi përfaqësues shqiptare nga diaspora në Maqedoni”, theksoi Skender Hasani, kryetar i Shoqatës së historianëve në Maqedoni.

“Më 30 mars kur përfundon regjistrimi i votuesve në diasporë, nëse numrat nuk përshtaten me preferencat e Gruevskit unë jam i sigurt se ai do të inskenojë diçka tjetër që këto zgjedhje të deputetëve të diasporës t’i pengojë ashtu siç bëri me regjistrimin e popullsisë”, shtoi Hasani. 

Por ditë më parë, shoqata e quajtur ‘Diaspora Shqiptare e Maqedonisë’, i cilësoi si të padëshiruar zyrtarët e BDI-së që po vizitojnë vendet e diasporës, pasi siç theksojnë misioni i kësaj partie nuk i kontribuon vizionit shqiptar dhe se vendimet e saj janë të imponuara dhe nuk reflektojnë interesat e shqiptarëve të diasporës./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button