Maqedoni, zgjidhje partiake për mediumet, sa për ti mbajtur zgjedhjet

Marrëveshja për mediat, që u arrit gjatë negociatave të fundit të partive – nënshkrues të Përzhinës paraqet punë tranzicionale e cila nuk do të sjellë asgjë të mirë për mediat, thonë njohësit të sferës mediatike të cilat i konsultoi Portalb dhe NOVA.

Pas negociatave, VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja, BDI-ja dhe PDSH-ja vendosën që të formohet një ad-hok trup i cili do të funksionojë deri në përfundimin e procesit zgjedhor dhe do ta vlerësojë raportimin e balancuar të mediave.

LEXO: Marrëveshja e Përzhinës 2, ja në cilat kushte nuk do të vlejë

Katër partitë, pas konsultimeve paraprake me organizatat e gazetarëve do të zgjedhin katër anëtarë, prej të cilëve njëri do të jetë shqiptar, ndërsa katër anëtarët e zgjedhur, do të kenë afat prej 15 ditë që me konsensus ta zgjedhin anëtarin e pestë.

Shkeljen e parë që do ta regjistrojë ad-hok trupi do të sanksionohet me vërejtje, ndërsa çdo shkelje tjetër do të sanksionohet me gjobë me para. Sipas marrëveshjes, asnjë gazetar ose medium nuk do të dënohet për shprehjen e mendimit personal, i cili duhet të dallohet nga raportimi informativ.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në konferencë për mediat hodhi poshtë çdo pohim për konsultime të mbajtura me partitë në lidhje me themelimin e trupit të ri. Sipas njeriut të parë të shoqatës, Naser Selmani, marrëveshja akoma më shumë e partizon hapësirën dhe sistemin mediatik dhe mu për këtë arsye ata nuk do ti japin legjitimitet marrëveshjes.

LEXO: Maqedoni, të gjitha datat dhe afatet e marrëveshjes së re (Vizualizim)

“100 ditë para zgjedhjeve do të kemi institucione të goditura nga interesat dhe ndikimet partiake. Trupi partiak ad-hok në kuadër të Agjencisë për media është i papranueshëm për ne. Zgjidhja e vetme është zgjedhje të përbërjes së re të Këshillit i Agjencisë ku do të zgjedhën profesionistë të pavarur. Andaj Shoqata e Gazetarëve (SHGM) nuk do të merre pjesë në konsultimet partiake për themelimin e këtij trupi, pasi që nuk dëshirojmë të legjitimojmë zgjidhje të paqëndrueshme partiake të cilat nuk do të jenë në interes të gazetarëve. Çdo mundësi tjetër të cilën do ta kemi në dispozicion, do të alarmojmë dhe do ta informojmë opinionin se këto zgjidhje janë të papranueshme”, deklaroi Selmani.

Sipas Dejan Gorgievskit nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, nën pikëpyetje është se sa ky trup do të jetë reprezentativ, që të mundet të jep vlerësime objektive për raportimin e mediave.

“Është e paqartë se cila është nevoja për trup të ri kur një trup i tillë ekziston në Agjencinë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike. Pse këtë trup nuk e zgjedh Komisioni Shtetëror Zgjedhor, nëse qëllimi është që të funksionojë deri në përfundimin e zgjedhjeve. Vetë përbërja e trupit është keq i paramenduar, ndoshta partitë do të propozojnë ekspertë nga sfera e mediave, por anëtari i pestë do të jetë vendimtar për çdo aktivitet. Më duket se ky trup është shumë i vogël që të jep vlerësime objektive dhe të jetë reprezentativ me qëllim që të ketë mundësi ti mbikëqyr të gjitha mediat”, thotë Georgievski.

Sipas kryeredaktorit të “Radio Evropa e Lirë”, Zoran Quka, marrëveshja ngjan si “marrëveshje politike zgjedhore”. Quka thotë se marrëveshja për mediat nuk është e mirë.

“Unë nuk mendoj se ndonjë gazetar mund të thotë se pjesa për mediat në këtë, unë do ta kisha quajtur “marrëveshje politike zgjedhore “, e jo marrëveshje për dalje nga kriza, është marrëveshje e mirë. Së pari nuk ka marrëveshje e mirë politike për mediat.  E njëjta ka të bëjë edhe me këtë marrëveshje partiake. Shumë pak aktrim nga partitë dhe një realitet shumë i vrazhdë. Mund të ankohemi sa të duam lidhur me propozimin për trupin ad-hok i cili do ta mbikëqyr respektimin e dispozitave për mediat që dalin nga Kodi Zgjedhor dhe i cili do të përbëhet nga pesë persona. Por aty thuhet se anëtarët do të zgjedhën në konsultim me organizatat relevante profesionale. Të shohim e pastaj të gjykojmë”, thotë Quka.

Në lidhje me radiotelevizionin shtetëror, është arritur marrëveshje se në MRTV do të emërohet kryeredaktor i programit informativ nga radhët e opozitës, i cili do të fillojë me punë 100 ditë para zgjedhjeve. Sipas ekspertëve, kjo do ti shkaktojë goditje të re radiotelevizionit shtetëror i cili do të shndërrohet në autoparlant partiak i opozitës.

“Zgjidhja për MRTV-në është absurde, redaktori partiak i pushtetit, do të zëvendësohet me një përcjellës partiak i opozitës. Me këtë edhe më shumë do të forcohet presioni partiak mbi MRTV-në i cili në vend që të jetë në shërbim të qytetarëve, do të jetë viktimë i interesave partiake. Nëse dëshirojmë radiotelevizion shtetëror të pavarur, strukturat drejtuese të MRTV-së duhet të departizohen dhe të sigurohet burim i pavarur dhe i qëndrueshëm i financimit, thotë Selmani.

“Për mua, pjesa e marrëveshjes e cila thotë se partia më e madhe opozitare do ta emërojë kryeredaktorin e redaksisë informative të MRTV-së nga radhët e ekspertëve, është pikëlluese. Së pari, mjaftë më me propozimet partiake për emërim të redaktorëve! Por në fund, dëshiroj të them, ose së paku ashtu unë e përjetoj, se kjo marrëveshje në pjesën e mediave është një punë në tranzicion. Këtë e shoh unë në nenin 3 ku katër partitë politike detyrohen që ta ndryshojnë legjislacionin për mediat në pajtim me Raportin për Reforma Prioritare i Pribes në afat prej gjashtë muajve pas mbajtjes së zgjedhjeve. Unë nuk ju besoj partive, por shpresoj se esnafi dhe mediumet pas zgjedhjeve do të ndryshojnë dhe do të bëhen faktor më i fuqishëm në marrjen e vendimeve për vetveten”, mendon Quka.

Katër partitë politike sipas marrëveshjes janë obliguar se do ta implementojnë legjislacionin mediatik në përputhje me reformat urgjente prioritare dhe në përputhje me Raportin e Pribes në afat prej gjashtë muaj.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button