Alba: Do ta mundim Realin

Mbrojtësi i majtë i Barcelonës, Jordi Alba, ka besim se skuadra e tij do të zhvillojë një ndeshje të mirë në “Santiago Bernabeu”. Sipas 24-vjeçarit edhe pse Reali i Madridit po kalon një formë të shkëlqyer, në El Clasicon e kësaj fundjave, gjithçka mund të ndodhë.

“Reali i Madrdit është shumë i rrezikshëm prandaj ndaj tyre duhet të tregohemi shumë të kujdeshëm dhe sidomos në mbrojtje. Ata kanë shumë kualitete në ekip dhe mund të të shënojnë gol në çdo moment. Ne na duhet t’i sulmojnë në grup ata dhe po ashtu të mbrohemi në grup. Megjithatë unë mendoj se në El Clasico nuk ka favoritë, dhe ne do të shkojmë në Madrid për të fituar”.

Në vijim Jordi Alba foli edhe për dy yjet e futbollit, Lionel Messin e Cristiano Ronaldon.

“Ndërmjet Messit dhe Cristianos do të zgjidhja Messin, dhe nuk e bëj këtë sepse e kam shok skuadre pasi edhe kur isha te Valencia mendoja të njëjtën gjë. Megjithatë për të qenë i sinqertë dua të them që Cristiano Ronaldo është një bishë e vërtetë”.

Në fund një koment i Jordi Albës për brazilianin Neymar, dhe për kundërshtarin që ai do të dëshironte të ketë përballë Barcelona në çerekfinalet e Uefa Champions League.

“Neymar po zhvillon një kampionat të madh, edhe pse pësoi një dëmtim ai e ka marrë plotësisht veten dhe po ndihmon skuadrën me paraqitjet e tij në fushë. Përsa i përket ekipit që do të doja në çerekfinalet e Champions League nuk kam asnjë preferencë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button