Meta, Halimit: Shqiptarët në Maqedoni të përfaqësohen sa më denjësisht në zgjedhje

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, priti sot në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë kandidatin shqiptar për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, Iljaz Halimin i cili shoqërohej nga Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Halimi dhe Thaçi e njohën kryetarin e Kuvendit Meta mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe mbi ecurinë e fushatës zgjedhore, duke vënë në dukje mobilizimin e energjive në funksion të maksimizimit të votës së shqiptarëve për kandidaturën Iljaz Halimit. 

Profesor Halimi shprehu mirënjohjen e tij të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit ndaj shqiptarëve dhe mbarëvajtjes të të drejtave të tyre në Maqedoni, dhe vuri në dukje se hapësirat shqiptare në Maqedoni kanë nevojë për më tepër vlera dhe kulturë pozitive demokratike.

Meta shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Halimi në Kuvendin e Shqipërisë, dhe theksoi se Shqipëria dëshiron që shqiptarët në vendin fqinj të përfaqësohen sa më denjësisht në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar njëkohësisht rolin konstruktiv dhe stabilizues të shqiptarëve në Maqedoni.

 Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi gjithashtu se përqasja në vazhdimësi konstruktive e Shqipërisë ndaj vendeve fqinje, është gjithnjë në funksion të forcimit të stabilitetit rajonal dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve të vendeve tona.

Lajme të ngjashme

Back to top button