Microsoft Maqedoni dhuron softuer falas për OJQ-të

Zyra lokale e Microsoft Maqedoni, së bashku me Fondacionin Metamorfozis, e organizojnë ditën e Microsoftit kushtuar sektorit të OJQ-ve “Bëhuni iniciator i ndryshimeve”. Ngjarja do të mbahet nesër, 20 mars, në hapësirat e Panairit të Shkupit, në sallën diplomatike, me fillim në orën 10.

Ngjarja do të hapet nga Stefan Plavjanski, menaxher gjeneral i Microsoft Maqedoni dhe Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit Metamorfozis dhe më pas do të ketë prezantim të programeve përms të cilave organizatave joqeveritare do të mund tu bëhet dhurimi falas i softuerit. 

“Bashkëpunimi me Mikrosoftin në këtë ngjarje paraqet vazhdimësinë e përpjekjeve të Metamorfozis për ti ndihmuar organizatat joqeveritare në përdorimin e teklologjive të reja, me qëllim që në mënyrë sa më efikase të realizojnë misionin e tyre. Njëkohësisht, ngjarja nesër me donacionin e softuerit është njëfarë rrumbullaksimi i punës të cilën e ka bërë me vite Metamorfozis me trajnimet dhe mentorimet e OJQ-ve” tha Bardhyl Jashari.

Dita e Microsoft kushtuar sektorit të OJQ-ve do t’u mundësojë përfaqësuesve të sektorit qytetar që nëpërmjet programeve interaktive t’i përmirësojnë shkathtësitë e tyre të TIK-ut, por edhe të mësojnë më shumë për shfrytëzimin e mundësive që i ofron Microsofti nëpërmjet programit Youthspark dhe aplikacioneve për sajber-grante. 

Përfaqësuesit e pranishëm të sektorit qytetar do të kenë mundësi edhe të diskutojnë rreth përdorimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale për arritjen e prezencës më të mirë onlajn dhe për të qenë në dispozicion të qytetarëve.

Për agjendën dhe më shumë informata, klikoni këtu.

Hashtagu për këtë ngjarje është #msngoMK /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button