Nesër protesta në Shkup

Nesër në ora 11 e 50 minuta në Shkup para Ministrisë për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, tetovarët do ta shprehin pakënaqësinë e tyre nga mos reagimi i kësaj ministrie sa i përket marrjes së masave kundër ndotjes së ajrit.

Protesta organizohet nga Iniciativa qytetare “Së bashku kundër ndotjes në Tetovë”.
Sipas Bekim Asanit, nga kjo iniciativë qytetare, protesta është si reaksion ndaj vendimit të Ministrisë për  prolongimin e afatit për vendosjen e filtrave te kapacitetet industriale të rajonit të Tetovës.

“Së bashku kundër ndotjes në Tetovë” ditë më parë i ka dorëzuar pesë kërkesat e saj deri te Komuna e Tetovës lidhur me ndotjen e qytetit. 

Ata thonë se komuna e Tetovës në datë 17.03.2014 ka dhënë përgjigje për katër nga pesë kërkesat të cilat janë nën ingerencat e Komunës, por pa konkretizuar afatin kohor se kur do ti plotësojë kërkesat e iniciativës.

Ata pyetën publikisht kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi se KUR planifikon komuna ti plotësojë kërkesat të cilat janë në vijim.

Urgjentisht të merren masa për pastrimin e deponisë së qytetit.
Të ndalohet lëvizja e automjeteve në qytet për një periudhë të caktuar duke u mundësuar kështu qytetarëve transport publik falas nga hyrja e qytetit deri në sheshin qendror.
Të ndalohet djegia e mbeturinave të ndryshme si plastika, goma dhe mbeturina të tjera të cilat shfrytëzohen për ngrohje. Gjithashtu të parandalohet djegia e mbeturinave publike, të vendosura në lagjet e qytetit.
Inspektorët të imponojnë vendosjen e filtrave për ndotësit e mëdhenj industrialë të tillë si Jugohrom-i dhe të tjerë.
Të ndërtohen parqe dhe gjelberime të ndryshme për rekreim si dhe të mundësohet rrugë e veçantë për biçiklizëm në qytet.

“Ndotja e ajrit është një problem kryesor që ka prekur Tetovën, ndaj bëj apel që të gjithë tetovarët të na bashkangjiten nesër në protestën që do të mbahet në Shkup”, u shpreh Asani.

Çfarë do të thotë ndërmarrja e masave konkrete
Sa për ilustrim, ditëve të fundit në kryeqytetin e Francës, Paris niveli i ndotjes së ajrit ka arritur më lartë se sa e lejuara 80 metër në katror, grimcat e dëmshme në ajër kanë arritur 180 metër në katror që është shumë më pak se sa në Tetovë kur ka pasur raste ekstreme me grimcat e dëmshme në ajër 308,63. 

Masa që e morën kompetentët në Paris është ndalesë e rreptë ndaj lëvizjes së automjeteve në qytet! Masat që u morën në Tetovë, ishin masa të vjetërsuara. /

Blerona Jakupi, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button