Bisedime të (pa)suksesshme, bisedues të (pa)aftë

“Bisedimet pa rezultat” e “Bisedimet për t’i vazhduar bisedimet” duken aq të kota saqë krijojnë përshtypjen se kriza në Maqedoni është sa e thellë po aq dhe e komplikuar. Por fakti se këtë krizë politike nuk e solli e as nuk do ta marrë lejleku e qartëson tërë çështjen: thjeshtë gjithçka varet nga biseduesit, respektivisht aftësia politike e tyre. Rrjedhimisht ekzistojnë vetëm dy sqarime: kemi liderë fare të paaftë ose jashtëzakonisht të aftë.

Sipas sqarimit të parë liderët janë qenie të dobëta, të zbrazëta dhe tmerrësisht të paafta. Të dobëta, pa fuqi për t’i rivendosur gjërat në binarë, sepse rindërtimi është shumë më i vështirë se sa ndërtimi nga fillimi; të zbrazëta, pa turp e ngatërrojnë fatin e popullit të tërë e nuk skuqen fare; dhe të paafta ta njohin vlerën e kohës e të gjejnë gjuhë të përbashkët, nuk e dijnë se në diplomaci lëshohet pe e nuk këmbëngulet në kërkesa diametralisht të kundërta.

Ndërsa sipas sqarimit të dytë liderët janë qenie të fuqishme, të pasura dhe jashtëzakonisht të afta. Të fuqishme t’i  bëjnë ballë si presionit të brendshëm ashtu edhe atij ndërkombëtar; të pasura me virtytin e durimit dhe vendosmërisë për ta ruajtur me fanatizëm kryeveprën e tyre, të cilën të tjerët ia kanë pagëzuar “Krizë” dhe të afta për të shfrytëzuar përfitimet personale, të vetëdijshme se koha është flori e të bindura se diplomacia thotë “Ta zgjasësh perin, por pa e këputur”.

Kështu, para se të votojë në zgjedhjet e ardhshme (kurdo qofshin këto zgjedhje), qytetari është i lirë ta zgjedh një nga sqarimet, të shohë (pa)aftësinë e biseduesve dhe (pa)suksesin e bisedimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button