Ju faleminderit!

Më thanë që është më mirë që të mos reagoj dhe të mos flas [më] lidhur me këtë temë. Më sugjeruan se nuk duhet unë ta trajtoj dhe se duhet ta lë ta sqarojnë të tjerët. Por, unë vendosa që të flas edhe kësaj radhe, sepse besoj se në kohërat moderne ku të gjithë ne jemi pengje të komunikimit masiv dhe jetojmë nën diktatin e demokracisë absolute (sepse ndryshe nga demokracia e dikurshme, kur jo secili kishte hapësirën dhe mundësinë për t’u shprehur publikisht dhe lirshëm, që kur janë zbuluar rrjetet sociale, këtë liri e ka secili), gjërat duhen thënë dhe duhet dhënë llogari, sidomos kur bëhet fjalë për të zgjedhur ose të votuar nga populli, siç është rasti im.

Kur kam bërë studimet për magjistraturë në Londër, kisha rastin të njihem më për së afërmi me të ashtuquajturën kulturë të shtypit rozë (ose të verdhë), të tabloideve dhe të thashethemeve lidhur me jetën e personave publikë. Anglia llogaritet si djepi i kësaj kulture dhe atje personat publikë janë tërësisht të ekspozuar dhe nën “kërcënimin” e përhershëm të paparacëve. Megjithatë, një është emëruesi i përbashkët i të gjitha storjeve që publikohen: ato përmbajnë fakte dhe prova lidhur me informacionet që publikohen.  

Gjatë javës që po lëmë pas, unë u përfshiva në një fabrikim të ulët i cili qysh në momentin kur u publikua, u pa qartë se ishte një skenar i menduar, i organizuar dhe i koordinuar mirë, dhe që në thelbin e vet kishte për qëllim diskreditimin tim, të familjes time dhe të punës të cilën e bëj. Rastisi që gjatë kësaj jave unë isha jashtë shtetit, në udhëtim zyrtar me delegacionin e Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Ndërkohë që unë isha atje, duke bërë punën e një të zgjedhuri, pra duke përfaqësuar shqiptarët e Maqedonisë në institucionin më të vjetër europian, këtu kishte shpërthyer “skandali” i cili përfshinte emrin tim dhe të një ministri etnik maqedonas! Nuk ishte dashur shumë që të mobilizohej dhe opozita shqiptare (ndryshe e njohur si “rojtar i denjë i shqiptarizmës”), dhe kishin aktivizuar shtabet për të më ofenduar në faqen time zyrtare në facebook! E vështirë, dëshpëruese, e mjerë dhe miope – e tillë u dëshmua edhe njëherë opozita shqiptare! Ranë në grackën e një montimi klasik, lehtë të parashikueshëm, sepse përherë në shtetet etnikisht të ndara, skandali më i madh do të ishte një lidhje dashurie mes një shqiptareje dhe një maqedonasi, dhe me gjithë mllefin e shndërruar në shans për poentim, më fyen, më poshtëruan, më ofenduan, më shpallën tradhtare, dhe çfarë jo! Ndërkohë, autori i fabrikimit më kërkoi falje publike, ai pranoi se lajmi ishte shpikje dhe këtë e bëri vullnetarisht dhe pa detyrim nga gjykata a ndonjë organ tjetër. Megjithatë, sulmet nuk ndaluan.

Ajo që më bëri përshtypje më së shumti gjatë gjithë kësaj fushate të poshtër, ishte fakti se ata që më shanin dhe sidomos ata që dhanë urdhër partiak për këtë, sikur harruan se një ditë e njëjta gjë mund t’u ndodhë kolegeve të tyre, bashkëshorteve të tyre, nënave të tyre, motrave të tyre, apo edhe vajzave të tyre, po qe se merren me punë publike ose me politikë. Më habiti lehtësia me të cilën sidomos femrat shqiptare përdornin fjalë rruge dhe më shanin, mbase më keq se që mund të më shante ndonjë burrë!  Ato më vunë në karrigen e të akuzuarit dhe ma shqiptonin gjykimin dhe dënimin njëkohësisht, pa pyetur për asnjë moment vallë, si ka mundësi që një “lajm” të tillë e prodhoi një gazetar i cili nuk njihet fort për qëndrime tolerante ndaj shqiptarëve në Maqedoni, dhe as nuk ka folur ndonjëherë në frymë pozitive për bashkëjetesën etnike! Për asnjë moment nuk kërkuan as provat ose faktet, por shanë e shanë, fyen e fyen, e poshtruan një femër bashkëkombase, thjesht dhe vetëm për shkak se ajo ka qëndrime të ndryshme politike me to dhe nuk ka qëndrime të ndryshme për sa i përket kauzës kombëtare shqiptare.

Për një moment mendova dhe për organizatat e grave. M’u kujtua fillimi i pluralizmit politik në Maqedoni dhe koha kur, në fillim të viteve ’90, mamaja ime, aktiviste e madhe për emancipimin e femrës shqiptare, kryetare e Forumit të gruas e partisë së parë politike shqiptare në Maqedoni, dhe lufta të cilën ajo dhe shoqet e saja bënin për të vënë themelet e aktivizmit dhe angazhimit politik të grave shqiptare te ne. Për fat të keq, nuk dëgjova asnjë nga organizatat e grave shqiptare të bënte një prononcim në këtë situatë, për faktin e vetëm se goditja nuk m’u bë mua si individ, por idesë që një femër shqiptare mund të jetë e shkolluar, e emancipuar, dhe shumë e zëshme në proceset politike në Maqedoni. Ngelet dilema për atë se si do të motivojmë femrat e reja shqiptare që të inkuadrohen në skenën politike pas këtij fabrikimi.

Më qortuan se në facebook kam përdorur shprehjen “shqiptarë të mjerë”, sepse kam bërë një kualifikim për mbarë kombin. Nuk është e vërtetë! Ky kualifikim ishte përgjigja ime për të gjitha ato shoqe e motra të mijat shqiptare dhe për të gjithë ata shokë e vëllezër të mijtë shqiptarë, që mbajtën anën e gazetarit maqedonas dhe shfrynë vner e helm ndaj meje! Sepse në asnjë moment nuk kërkuan prova; në asnjë moment nuk menduan se mund të ishte kurdisje; me lehtësi të paparë gjykuan bindjet e mia kombëtare, jo ato politike; më bënë një linçim publik mua, por askush për asnjë moment nuk e gjykoi gazetarin. Këta vërtetë janë të mjerë. Por, më të mjerë akoma janë mentorët e tyre politikë të cilët i manipuluan dhe ju urdhëruan që të bëhen pjesë e kësaj fushate të pështirë.

Unë nuk ju hidhërohem. Kur kam vendosur të merrem me politikë, kam bërë vlerësimet e mija, kam marrë parasysh rrezikun e të qenit viktimë e një njollosjeje të këtillë. Ajo çfarë kanë thënë e shkruar kundër meje le t’u shërbejë për nder atyre. Ndërsa për Ilirjanën, Florën, Adelinën, shoqet e mikeshat e mia të afërta, familjen time të ngushtë dhe më të largët, në Maqedoni, Kosovë, SHBA e kudo janë, për të gjithë gazetarët e gazetaret, për votuesit e mi të respektuar, për të gjithë ata që për asnjë moment të vetëm nuk u lëkundën në bindjen e tyre për mua dhe sjelljen time politike dhe jo vetëm, sot dëshiroj të them vetëm një gjë: JU FALËMNDERIT! ERMIRA.

Burimi: Koha.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button