Suedia, përkrahëse e Maqedonisë në procesin integrues

Vizita e zëvendëskryetares së Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Esabelle Dingizian, është shenjë e kujdesit të këtij shteti për Maqedoninë pasi vjen në kohë kur në vend dominon kriza politike, dhe nga këtu është mirë të dëgjojmë këshillat nga një vend mik siç është Suedia, deklaroi pas takimit me te, nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, raporton Anadolu Agency (AA).

Milloshoski tha se në takim me homologen suedeze kanë biseduar për eurointegrimet, çështjen e refugjatëve, për barazinë gjinore për të cilën Suedia ka të arritura të mëdha si dhe temat tjera nga lëmi i bashkëpunimit dypalësh.

“Është me rëndësi të theksohet se Suedia mban qëndrim pozitiv për integrimet e Maqedonisë dhe se ky qëndrim i saj është mbipartiak, pavarësisht përcaktimeve politike në Maqedoni dhe Suedi. Përkrahja për Maqedoninë është stabile dhe konkrete, që është e një rëndësie të veçantë për ne”, tha Milloshoski për të shtuar se tek çështja e refugjatëve janë pajtuar se të gjitha shtetet anëtare dhe aspirante të BE-së janë të udhëzuara për një bashkëpunim reciprok sepse siç tha, asnjë shtet nuk mundet e vetme të zgjidh problemin nëse situata bëhet më serioze.

Duke shprehur falënderim për ftesën që i është bërë të vizitojë Maqedoninë, Dingizian shprehu dëshirën që kjo vizitë të përforcojë marrëdhëniet e mira dypalëshe.

Sa i përket pritjeve nga takimet që do të ketë gjatë qëndrimit të saj tre ditorë në Maqedoni, ajo tha se diskutimet e saj do të përqëndrohen më shumë tek pjesa e barazisë gjinore në shtet.

“Temat kryesore nga takimet e mia do të jetë rritja e përfaqësimit gjinor në Parlament pasi nga e kaluara e dimë se gjithmonë kur femra është kyçur në Parlament ose në procesin e vendimarrjes kanë dominuar çështjet e familjes, arsimit. Ne synojmë ritjen e përfaqësimit cilësor të femrës si pjesë e zgjidhje të sfidave që vijnë”, deklaroi Dingizian e cila ftoi gjininë mashkullore të përfshihet më shumë në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Ajo do të ketë takime edhe me grupin e deputetëve të Parlamentit për bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Suedisë ndërsa më vonë do të mbajë fjalim në seancën e Komisionit parlamentar për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button