fbpx

Gjerma një fshat i harruar që rrezikon të gëlltitet nga erozioni i tokës

Gurët e derdhur përgjatë një rruge të pjerrtë të rënë nga shtëpitë të cilët nuk arritën t’i rezistojnë rrëshqitjes së dheut të çojnë në pjesën më erozive në fshatin Gjermë të Tetovës.
Një mëhallë e tërë e fshatit Gjermë lëvizën në drejtim të hendekut të madh si pasojë e erozionit të tokës. 

Fshati Gjermë duket i braktisur në mes ta malit. I shtrirë shtatë kilometra në lartësi, Gjerma ende nuk është një fshat i braktisur nga banorët e saj, por ajo tani më duket e lënë pas dhe e shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Në fshatin Gjermë jetojnë më shumë se një mijë banorë. “Askush nuk do të dëshironte të jetonte në një fshat të tillë ku nuk ka qoftë edhe një ambulancë”, thotë një banorë i këtij fshati, Durmish Fetahu.

Ramiz Hasani, kryetarë i Bashkësisë Lokale, thotë se jemi duke jetuar në mjerim social. “Deri më tani askush nuk ë ka kthyer kokën nga ne”, thotë ai. Për të qenë edhe më keq thotë Ramizi, një pjesë e fshatit ku jetojnë ende disa familje është duke u rrënuar, si pasojë e erozionit të tokës.

Sipërfaqe të mëdha të tokës të mbjella me pemë, janë gëlltitur nga hendeku i madh që përshkon rrjedhën e lumit të rrëmbyeshëm, brenda 10 viteve të fundit në fshatin Gjermë.

Mozaiku i gurtë në një lagje të banuar, me shtëpi të plasaritura dhe të anuara,  duket se nuk do t’i rezistoje edhe shumë gjatë gërryerjes së vazhdueshme të dheut.

Hendeku i madh ka arritur fare pranë shtëpisë së familjes gjashtë anëtarësh, Bilalli, nga fshati Gjermë.

Kasolla e bagëtisë duket se qëndron pezull në ajër, ndërkohë që ajo ka lëvizur disa metra më poshtë shtëpisë, duke e bërë rrugën shumë të pjerrtë deri tek ajo.

Ky është një paralajmërim jo i mirë për familjen Bilalli, e cila është e detyruar të qëndrojë në shtëpinë e plasaritur dhe të anuar nga ana e lumit, që e ka bërë shtratin e sajë një humnerë të thellë.

Ngushëllimi i vetëm i familjes Bilalli, tani më është në mëshirën e erozionit të tokës, që ka arritur në pragun e shtëpisë.

Lëvizja e vazhdueshme e tokës ka bërë që kati i dytë i shtëpisë së familjes Bilalli, të duket si kur të ishte kati përdhese, me mure të plasaritura dhe të anuara gati në gjysmë metra. Pjesa përdhese e shtëpisë që më tepër ka shërbyer për mbajtjen e bagëtisë, e përforcuar me një pjesë betoni, konsiderohet pak me sigurt edhe pse është fare pranë të çarave të tokës.

Zonja e shtëpisë që mundohet të mirëmbaj një oborr të vogël me të çara të dheut në të gjitha anët, thotë se kanë frikë të qëndrojnë në katin e sipërm të shtëpisë. 
Tre fëmijët e  vegjël ndjekin me kujdes paralajmërimet e prindërve për të mos qëndruar gjatë në katin e sipërm të Shtëpisë.

Afërdita është nxënëse ne klasën e dytë fillore, një fëmijë tetë vjeçare, që po rritet me ankthin se një ditë shtëpia  do të bie në humnerën e lumit. Ajo dëshiron t’i tregojë çdo kujt se e ka dhomën me mure të çara, ku nuk mund të qëndroje gjatë për të mësuar. Ajo rri fare pak në dhomë sa për të ndërruar orarin e shkollës. Vizatimet e saja, me motive dominuese, “shtëpia ne mes të luleve”,  Afërdita thotë se do t’i vendos në muret e shtëpisë së re, ku nuk do  të ketë frikë  se shtëpia do të shembet, sa herë që do të bire shi.

Ëndrra fëmijërore e Afërditës, për të pasur një shtëpi në një vend më të sigurt dhe jo në mesin e gurëve të derdhur të shtëpive të rrënuara nga erozioni i tokës, duket një ëndërr që nuk do të mund ta realizojnë prindërit e sajë të papunë në një fshat në thellësinë e malit, ku e vetmja perspektivë janë ca kafshë sa për të mbijetuar.

Deri më tani askush nuk ka ofruar ndonjë ndihmë, për të shpëtuar familjen Behluli nga mjerimi social në të cilën gjendet. Fatkeqësia më e madhe për këtë familje është gjetja e një strehe më të sigurt. Shtëpia e vjetër dhe gati e pabanueshme e kësaj familje ku janë të strehuar edhe tre fëmijë të vegjël është në prag të shembjes. Ata i druajin të keqes më të madhe, shembjes së papritur të shtëpisë që është shndërruar në një ankth për jetën e fëmijëve. 

Hanif Bilalli, i zoti i shtëpisë, thotë se veprimtari kryesore e mbijetesës së familjes së tij, janë bagëtitë. Në kushtet e një tereni të egër malor, Hanifi, thotë se mbijetesa është një sfidë në vete. Ai nuk shpreson në gjetjen e ndonjë vendi të punës që do të ndryshonte sa do pak rrethanat e tij sociale. “Jemi shumë të dobët përballë, padrejtësive politike. Partitë politike që mbajnë peng vendet e punës, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme të na ndihmojnë për të gjetur një vend pune”, thotë Hanif Bilalli.

Disa shtëpi rreth e rrotull, shtëpisë së familjes Bilalli, janë tash më të pa banuara. Ata thuajse janë rrënuar për shkak të erozionit të tokës. Oxhaqet e shtëpive kanë mbetur në mes të mureve të shtrembëruara, si dëshmi se dikur këtu kanë jetuar njerëz.

Në mesin e këtyre dëshmive ogur zeza, nuk jeton vetëm familja Billali. Edhe shtëpia e Bajram Rizait, duket e shumë e dëmtuar nga rrëshqitja e dheut. Bajram Rizai, nuk ka ndonjë zgjidhje më të mirë, përveç se të vazhdojë të jetojë në shtëpinë  e tij. Ai mundohet t’i sanojë të çarat e shtëpisë, sa herë që paraqiten ato. Rizai nuk e konsideron këtë si një zgjidhje të problemit, por, thotë se “tani për tani nuk ka ndonjë perspektivë tjetër”.

Erozioni i tokës është një problem i vjetër në fshatin Gjermë, por tani më po shihen pasojat e para, duke lënë disa familje pa shtëpi dhe disa të tjerë në mëshirën e fatit.

Sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale, Ramiz Hasani, ushtarët gjerman, kur ishin në mision në Maqedoni, kanë konstatuar se për 40 vite, fshati Gjermë ka lëvizur 38 metra.

Lajme të ngjashme

Back to top button