PUSHIMET (I)

Asnjëherë nuk jam nisur avash-avash në pushime ose udhëtim.

Përherë në moment të fundit: edhe paketimi që zgjat maksimum dhjetë minuta, edhe kontrollimi i banesës, edhe cingërima me ngut te ablla përballë për t’ia lënë çelsin, edhe arritja në stacion jorrallë derisa busi largohet nga peroni.

…Pushimet në det? Jo, falemnderit.

Deti më shumë të lodh se sa që të çlodh. Shumë komplikime: përgatitja për plazh, hyrje-daljet nga uji, vajtje-ardhjet sidomos nëse je sistemuar në dhomë të lirë dhe ajo, sipas rregullit, ndodhet më larg bregdetit. Ndërlikime shtesë nëse je prind. Ose nëse ndodhesh në plazh të mbipopulluar ku kufiri ndërmjet zonave private matet me centrimetra dhe kjo nuk duket bukur. Përkundrazi.

Nëse je fan i detit, ka gjasa reale të biesh pre e fushatave reklamuese për preparatet për rrezitje. Ato kanë efekte të dyshimta dhe çmime joreale, ndërkohë që vaji i kantarionit është më i liri dhe më i miri prandaj nuk e gjen dot në bilborde. Kampanjat reklamuese dizajnohen për inkasim nga padituria dhe prirja jonë për nënshtrim. Dushman natyror i tyre është njeriu që mbetet cool.

Ushqimi në pushimoren e largët – kapitull i veçantë. Bakteriet sezonale, problemet digjestive që karakterizojnë temperaturat e larta, barku i ndieshëm i fëmijëve, uria në plazh dhe oferta e joshëndetshme në afërsi, pemët në çantë që saora kthehen në kompot…Shumë gracka për një periudhë, e cila siç e thotë dhe emri, duhet para së gjithash të të mbrojë nga lodhja.

Pushimet në det!? Pas gjithë maltretimit vullnetar, në mbrëmje sytë të mbyllen vetë. Nuk arrin ta shijosh si duhet ahengun e mbrëmjes as me skenar familjar që supozohet të jetë më i qetë dhe më pak impenjues se sa jeta e natës e personit single.

Rrezitjen e konsideroj për budallallëk bashkëkohor. Shtrirë me orë mbi rërën përcëlluese!? Sikur të na shihnin paraardhësitë se si të lakuriquar kalojmë kohën symbyllazi karshi diellit! Ka dekada që refuzoj  të bëj pjesë në këtë modernitet absurd. Rrezitem duke shetitur nëpër qytet.

Vendet bregdetare më joshin vetëm jashtësezonit, kur veruesit kanë ikur me gjithë rrëmujën e vet, dhe pikat turistike i janë kthyer normalitetit. Atëherë janë vetvetja.

…Ka qenë një pushim në Silivri afër Stambollit. 1990.

Ditën e parë të qëndrimit atje, ulur nën çadër afër detit papritur m’u shpërfaq një si shteg që nga plazhi çonte drejtpërdrejt dikund. Kjo “dikund” mbeti për një moment si e mjegulltë, pastaj prap m’u fanit. Më vonë e përktheva si “ferr”.

Përveç këtij kumti pa fjalë, plazhi për mua është varrezë masive e erotizmit. Si meshkujt si femrat në kostumet e larjes janë gjithmonë më pak tërheqës se sa “në civil”.

Arsye shtesë për të fshirë plazhin nga agjenda.

Dhe për të bërë pushime fluide, në lëvizje, me kosto të ulët.

E flasim kur të kthehem.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button